Autoritetet ndërkombëtare por edhe ato të NATO-s gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se anëtarët e NATO-s do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni iKFOR-it në Kosovë të ketë forcat dhe burimet e nevojshme për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.

Operacionet e NATO-s në Kosovë, ishin temë diskutimi një ditë më parë në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.

Rutte: Jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ngriti aty shqetësimet për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një ambient  të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha sekretari Rutte.

 “Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim”, vazhdoi Rutte. 

Aleanca Veriatlantike aktualisht ka në Kosovë mbi 4 mijë e 400 trupa të cilat kujdesen për sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve të Kosovës.

Rohde: Palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën

Mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi e vuri në pah në Prishtinë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, pas një tryeze diskutimi lidhur me Procesin e Berlinit që zhvilloi punimet gjatë javës.

“Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëra-tjetrën, dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse, për momentin nuk ka shumë progres në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit, dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje, që ne të ecim përpara”, tha Rohde, duke shprehur bindjen se strukturat e reja evropiane do të kërkojnë më shumë progres në dialogun Kosovë-Serbi.

“Jam i sigurt se emisari Lajçak dhe ekipi i ri në Komisionin Evropian duan progres dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Të dyja vendet dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm në BE”, tha ambasadori Jörn Rohde. 

Takim i ri në Bruksel në nivel kryenegociatorësh

Javën e ardhshme më 24 tetor është konfirmuar se në Bruksel do të mbahet një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve, ndonëse, akoma nuk është e qartë nëse do të ketë një takim trepalësh, pas dështimit të herës së fundit për një të tillë.

Autoritetet ndërkombëtare muajt e fundit kanë adresuar kritika të ashpra ndaj Kosovës për ato që ata i kanë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Prishtina zyrtare tashmë ka mbyllur komunat paralele serbe në Kosovë dhe zyrat e Postës së Serbisë, veprimet këto që u kritikuan nga autoritetet ndërkombëtare. /DW