Nga BUJAR QESJA

Lajmi i dhimbshëm, u përhap herët në mëngjes në opinionin qytetar të Durrësit. Ndahet nga jeta, një portret shumë i spikatur i qytetarisë durrsake, nga përfaqësuesit e fisit shumë të njohur dhe elitar në Durrës Tartari. Fisnik e kishte emrin dhe fisnik mbeti deri sa mbylli sytë, duke treguar dashuri të jashtëzakonshme për Durrësin, për durrsakët, e duke shërbyer me sa mundi në profesionin e inxhinjerit kimist.

Fisnik Tartari u lind në Kavajë, me 5 nëntor 1944. Mbaroi studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën e kimisë industriale dhe mori titullin inxhinjer. Pesë vëllezërit Tartari: Flamuri, Fisniku, Gazmendi, Çezari dhe Përparimi, janë kapitull i arrirë i asaj qytetarie durrsake që veçse të nderon, ku respekti dhe dinjiteti njerëzor janë parësorë. Familje e mbushur me intelektualë, kuadro dhe pjestarë aktivë, për të ndihmuar me sa të mundnin zhvillimin social dhe ekonomik të qytetit.

Fisniku i takon kuadrove të parë të kimistëve durrsakë, të shkolluar dhe me kulturë të avancuar, të atij brezi që dha aq shumë në zhvillimin e industrisë kimike, ku ndërmarrje të tilla si Kimike, Karburanti, Uzina Rajonale etj. u bënë të njohura në shkallë vendi.

Brezi i Fisnik Tartarit, Bashkim Laknorit, Mantho Jorgjit, Met Kollçakut, Petraq Papajorgjit etj. janë kapitulli më aktiv, i zhvillimit të sektorit kimik. Inovacione të ndryshme, i dhanë zgjidhje shumë dilemave që haste zhvillimi i këtij sektori në Durrës.

Fisnik Tartarit, i shkon merita e vendosjes së teknologjive të reja të përpunimit dhe pasurimit të markave të karburanteve. Kjo në kohën, kur punonte në Ndërmarrjen e Karburantit. Në vitin 1982, kur Durrësin e kërcënonte një katastrofë ekologjike, madje dhe më shumë se kaq, pas zjarrit të papritur në depozitat gjigande të karburanteve, roli i Fisnik Tartarit ishte në përmasat e heroit.

Duke aplikuar fikjen me shkumë dhe përshtatje të tjera në ndihmë të repartit të zjarrfikësvet, duke mos mohuar edhe heroizmin e rinisë durrsake, evitohet nga katastrofat më të paimagjinueshme që i kërcënohej Durrësit.

I qetë, i vëmëndshëm, aktiv, studiues, por edhe shumë social Fisnik Tartari, po fitonte gjithnjë e më shumë terren në raportet me qytetarinë durrsake, ku më pas bëhet protogonist i së mirës, i së bukurës, i punës dhe arritjeve më të spiktatura. Bëri shumë punë në jetën itensive si drejtues, kuadër dhe inxhinjer kimist.

Nuk u nda nga prodhimi, aty ku vështirësitë ishin më të mëdha, pranë punëtorëve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, për t’i dhënë zgjidhje mjaft problemeve që dilnin si nevojë e zhvillimit dhe përparimit.

Tartarit i takon merita edhe e ndërtimit të linjës së lindanit aktiv, në kohën kur ishte kryeinxhinjer i ndërmarrjes Kimike. Në Uzinën Rajonale në detyrën e inxhinjerit kimist, me mendimet dhe përvojën e tij, ndikoi në ngritjen e linjës të prodhimit të elektrodave. Për këtë qëllim, u dërgua për specializim në Gjermani. Fisnik Tartari ka me se të krenohet. Dhe jo vetëm ai. Është autor i mënyrës së saldimit në ujë dhe të disa materialeve me rrezikshmëri të lartë.

Një jetë me punë, me sakrifica, ku gjithnjë mbeti së pari njeriu, e më pas inxhinjeri kërkues, kolegu i respektuar dhe kuadri i përkushtuar. Tartarët njihen si natyrë sportive, që kanë luajtur edhe futboll. Gazi ishte nga më të talentuarit.

Doktori i njohur Flamur Tartari, durrsaku i madh, që ndonëse punoi tërë kohën në Tiranë, mbeti i përmalluar pas Durrësit dhe durrsakëve dhe këtë ia dhuroi edhe vëllezërve të tij. Është edhe krijues në fushën e studimeve mjekësore.

Fisniku luajti futboll me ekipin e qytetit, por edhe me skuadrën e famshme të Ndërmarrjes së Karburanteve, duke dalë edhe kampion në kampionatin e ndërmarrjeve dhe qendrave të punës dhe prodhimit të Durrësit.

Këtë njeri të artë, këtë fisnik mbi fisnikët, e ndihi fati edhe në krijimin e familjes me vajzën e fisit të njohur të Tatëve, Elizabetën. Është vajza e të mirnjohurit futbollist të viteve 50-të Vlash Tati. Motra Frosina dhe vëllai Jani, plotësojnë formatin e kësaj familje me peshë qytetarie në Durrës. Familja e Fisnikut, shtohet me tre fëmijë si yje: dy vajzat Anila dhe Doreta, si dhe djali Armandi.

Në fotot e shumta që patëm rast t’i kalonim nëpër duar, kupton qartë raportet e ngushta që kishte krijuar Fisniku dhe familja e tij, me intelektualë të njohur në Durrës, një prej të cilëve ishte edhe “Nderi i Kombit” Gjergj Vlashi.

Në të gjitha veprimtaritë kulturore dhe artistike që organizoheshin në Durrës, Fisniku do të ishte i pranishëm. I gëzohej gjithçkaje me emrin Durrës dhe u përpoq me të gjithë aftësitë dhe mundësitë, për t’i shërbyer sa më shumë qytetit të tij.

Me Fisnik Tartarin, humbëm një fisnik dhe zotni të rrallë, që në saj të punës dhe përkushtimit, la emër dhe kujtimet nga më të vlefshmet. Fisnik Tartari edhe për pak ditë, do të festonte 80-të vjetorin e lindjes. Por sëmundja avancoi dhe ia privoi mundësinë e këtij gëzimi të shumëpritur.

Trishtimi dhe hidhërimi ka prekur jo vetëm familjen Tartari, të afërmit, miqtë, shokët, por edhe mbarë opinionin qytetar të Durrësit.

Një njeri i artë u shkëput nga gjiri ynë, për të lënë të artën e emrit të tij, duke fituar respektin dhe mirnjohjen e merituar.

Lamtumirë Fisnik Tartari, fisniku i përjetshëm i Durrësit tënd aq të shtrenjtë!