Nga Dr. Bledar Kurti*

John Adams, një nga etërit amerikanë dhe Presidenti i dytë i ShBA, tha në vitin 1789: 

“Kushtetuta jonë u hartua vetëm për një popull të moralshëm dhe besimtar. Ajo nuk mund të përshtatet me asnjë qeveri të një kombi tjetër.”

Janë bërë shumë përpjekje për t’a eksportuar Kushtetutën Amerikane dhe sistemin e qeverisjes e për t’i zbatuar në vende të tjera të botës, por kanë rezultuar të pasuksesshme. Kjo për faktin se Kushtetuta dhe sistemi qeverisës amerikan janë unike në botë,

Shumë vende të Amerikës Latine u përpoqën ta imitojnë qeverisjen dhe Kushtetutën Amerikane por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat kishte gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara, dhe gjashtë presidentë të vrarë në vitet 1826 deri 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington-i i Amerikës Jugore, vdiq si një idealist i zhgënjyer për shkak të karakterit të vështirë të popullit të tij për t’u qeverisur i cili nuk ngjasonte aspak me atë amerikan. 

Çfarë e bën Amerikën kaq unike? Është historia e themelimit të saj. Një histori besimi dhe lirie. Përmbushja e një ëndrre pelegrinësh të krishterë që besuan se do ndërtonin një qytet mbi kodër, dhe sytë e mbarë botës do ishin mbi të.

 QYTETI MBI KODËR – Viti 1630 

Pasagjerët e anijes Arbella, të larguar nga Anglia në kërkim të një vendi ku mund të praktikonin lirisht besimin e tyre të Krishterë, kishin një vizion që do ndryshonte botën dhe rrjedhën e historisë. Ata do të bëheshin një shembull për pjesën tjetër të globit duke jetuar me drejtësi dhe liri, ndryshe nga Europa që linin pas, ku paraja dhe pushteti ishin kthyer në idhujtari dhe luftrat e vazhdueshme shtypnin popujt.

Në atë anije, pa arritur ende në tokë, Predikuesi dhe Guvernatori i ardhshëm JOHN WINTHROP mbajti një predikim dhe deklaroi qartë qëllimin e tyre: 

“Ne do të jemi si një qytet mbi kodër, sytë e të gjithë njerëzve do jenë tek ne”. 

Ai qytet që ata ndërtuan, sot ne e njohim si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si përmbushje e atij vizioni të 400 viteve më parë, sytë e mbarë botës janë vërtetë në të.

Anija Arbella ishte një nga njëmbëdhjetë anijet me mbi një mijë Puritanë me destinacion Massachusetts. Të gjithë ata pasagjerë të krishterë ishin të vendosur të ishin një fener për pjesën tjetër të Evropës, “Një Model i Besimit të Krishterë”, u shpreh Winthrop. 

John Winthrop ishte një jurist i pasur puritan dhe një nga figurat kryesore në themelimin e kolonive të para amerikane në Massachusetts Bay, krijimi i parë madhor i vendbanimeve në New England. Ai drejtoi valën e parë të emigrantëve nga Anglia në vitin 1630, dhe shërbeu si guvernator për 20 vjet në 12 kolonitë e para në kontinetin e ri.

Qyteti mbi Kodër është një paralelizëm për Jeruzalemin e Ri që përmendet në Bibël por edhe një shembull pasues i sistemit të drejtimit sipas besimit të krishterë të qytetit të Gjenevës nga John Calvin, që frymëzoi Puritanët të zbatonin teoritë dhe praktikat Kalviniste në Kontinentin e Ri jo vetëm në aspektin fetar por edhe politik, ligjor, ekonomik dhe social.

Në librin e tij klasik, Demokracia në Amerikë (1835-1840), Alexis de Tocqueville, një politolog dhe historian francez i cili ndërmori një udhëtim të gjatë në SHBA, i dedikon puritanëve atributet për themelet e një shteti dhe shoqërie shembullore dhe tërësisht të ndryshme nga pjesa tjetër e botës: “Unë mendoj se mund të shoh të gjithë fatin e Amerikës të përmbledhur në Puritanin e parë që zbriti në këto brigje, ashtu si krijimi i njeriut të parë në racën njerëzore.”  

VERITAS – 1636

Me të ngritur dhe konsoliduar vendbanimet e para, për pelegrinët e parë të krishterë arsimi ishte prioritet absolut, ndaj edhe në vitin 1636 u ngrit Harward College, i cili më vonë u transformua në Harward University, me moton Veritas (E Vërteta) dhe në vitin 1701 Yale University me moton Lux et veritas (Drita dhe e Vërteta), të pasuara nga Columbia University me moton In lumine Tuo videbimus lumen (Nën dritën Tënde do shohim dritën) Princeton University, Dei Sub Numine Viget (Nën Fuqinë e Perëndisë ka begati) dhe universitete të tjera, të ngritura nën të njëjtin vision dhe frymë të krishterë mbi të vërtetën .

Impakti i krishtërimit në sistemin arsimor amerikan është i dokumentuar qartë. Përshembull, edhe në sesionin e 107 të Kongresit Amerikan, në një nga debatet e shtruara në Dhomën e Përfaqësuesve lexojmë:

“Nga 108 universitetet e para të themeluara në Amerikë, 106 prej tyre ishin të Krishtera.

Në rregulloren e atëhershme të studentit, rregulli numër një ishte që studentët të cilët kërkonin të regjistroheshin duhet të dinin latinisht dhe greqisht në mënyrë që të mund të studionin shkrimet e shenjta.

Edhe shkollat e jurispondencës në Amerikë për 160 vjet kanë përdorur Komentet e Blackstone për të trainuar juristë. Sa herë që një çështje ose ligj përmendej në komentet e Blackstone, në krah të ligjit ai do shkruante vargjet e Biblës që e mbështesnin apo ndihmonin atë për të provuar që ai vendim ishte i drejtë.”   

NE, POPULLI – 1776

Duke u bazuar mbi etikën protestante të punës, 13 Kolonitë e para Amerikane jetonin në begati, me varfërinë pothuajse inekzistente, me një nivel të lartë arsimor, dhe tregëti të zhvilluar, por amerikanën ishin të taksuar e jo të përfaqësuar në Londër, në zemrën e Perandorë Britanike, ndaj kishte ardhur koha për pavarësi.

Të frymëzuar nga John Locke, arkitektët e Revolucionit Amerikan dhe etërit e kombit amerikan besonin se “qeveria e kishte zanafillën tek raca njerëzore sipas kushteve të një kontrate sociale për ruajtjen e atyre të drejtave të njeriut që natyra kishte siguruar. Nëpërmjet kësaj kontrate njeriu përfiton drejtësinë e pushtetit dhe si rrjedhojë qeveria egziston me miratimin e të qeverisurve. Kur një qeveri njerëzore dështon të ruajë kushtet e kontratës ose dështon të mbrojë ato të drejta për të cilat është krijuar të mbrojë, qytetarët kanë të drejtën e revolucionit.”

Ndaj edhe më 4 korrik 1776, nën parimin e lirisë dhe të drejtave, u firmos dokumenti më i rëndësishëm politik, filozofik dhe historik i SHBA, Deklarata e Pavarësisë, e cila nis kështu:

“Kur në rrjedhën e ngjarjeve njerëzore, bëhet e nevojshme për një popull të zgjidhë lidhjet politike që ka patur me një popull tjetër, dhe të marë nën pushtetit e tokës, qëndrimin ndarës dhe të barabartë që Ligjet e Natyrës dhe Natyra e Perëndisë ua kanë dhënë, një respekt të thellë për opinionet e njerëzimit, duke i kërkuar atyre të shpallin shkaqet që i detyrojnë të ndahen. Ne besojmë se këto të vërteta janë të vetëshpallura, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, që janë pajisur nga Krijuesi me disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat Jeta, Liria dhe përpjekja për të arritur Lumturinë.”

Përdorimi i frazës “të gjithë njerëzit janë të krijuar të barabartë” jo vetëm çimentoi parimin e barazisë por frymëzoi një dekadë më vonë Revolucionin Freancez me moton Liri, Barazi, Vëllazëri, por ndryshe nga Revolucioni Amerikan që mbetet frymëzues edhe sot, përfundoi në shpikjen e gijotinës, epokës së terrorit, dhe lindjen e të majtës ekstreme dhe të diktatorëve brutal të mëvonshëm në Evropë dhe më gjerë.

Nga Deklarata e Pavarësisë, 13 koloni me dëshirën për t’u vetëqeverisur, e deri më sot, rrugëtimi i SHBA vazhdon të jetë frymëzues, dhe vazhdon të ketë sytë e mbarë botës mbi të, ashtu siç e parashikoi John Winthrop 400 vite më parë.   

LIGJI, I BAZUAR MBI SHKRIMET DHE TRADITA MË  E MIRË  HISTORIKE

Në kolonitë e para amerikane, ligji civil u inspirua nga parimet e Biblës por edhe nga ligji civil anglez e cila edhe ajo ishte bazuar mbi konceptet biblike. 

Kushtetuta angleze nuk ishte një dokument i vetëm por një bashkim i traditave, vendimeve juridike, dhe statuteve historike që vinin nga kultura anglo-saksone, ligjet biblike të Krishtërimit, dhe statute ligjore, sidomos Magna Carta, dokumenti i parë konstitucional i cili, ndonëse një dokument i ligjit civil, ishte mbështetur në parime biblike.

Magna Carta e kishte origjinën në vitin 1215, kur një grup baronësh anglezë forcuan Mbretin John të nënshkruante një dokument që garantonte liritë e pamohueshme të dhëna nga Perëndia për subjektet e tij duke shpallur zyrtarisht që edhe monarkia angleze ishte nën sundimin e ligjit. 

Magna Carta ishte guri i qoshes për monarkinë konstitucionale angleze britanike. Ky dokument u hartua nga një teolog i rëndësishëm i krishterë me autoritet në ligjet kishtare, Stephen Langton, kryepeshkopi i Canterbury, i cili themeloi rrënjët e këtij dokumenti në Ligjet e Larta të Shkrimeve.   

Amerikanët kishin një pikëpamje të krishterë mbi ligjin; që do të thotë, Perëndia dhe Bibla ishin burimi i ligjit për Amerikën. Kjo pasqyrohet në shkrimet e tyre, sikurse edhe në shkrimet e politologëve të cilët përcaktuan të menduarit politik amerikan.

Për shembull, Dr. Donald Lutz zhvilloi një studim dhjetë vjeçar mbi dokumentat politik të periudhës 1760-1805 dhe regjistroi çdo referencë që etërit amerikanë i bënë burimeve të tjera. Nga të gjitha burimet e citimeve, e para ishte Bibla, me 34% të citimeve. Të tjerët ishin Montesquieu, me 8.3%, Blackstone, me 7.9%, dhe Locke, 2.9%.

Puritanët, pelegrinët e parë të Amerikës, u munduan të lenë një trashëgimi të mendimit politik dhe qeverisës të bazuar mbi ligjin dhe jo njeriun. Ata i dhanë jetë një filozofie politike të re, por edhe një filozofie ekonomike dhe sociale me anë të cilës Shkrimet e Shenjta do i flisnin njeriut në çdo aspekt të jetës. Kishte disa rregulla strikte të jetës ekonomike në New England që dallonte nga konceptet e mëvonshme të laissez faire të bëra publike nga Adam Smith. Puritanët nuk pajtoheshin me “shit sa më shtrenjtë dhe blij sa më lirë” por mbështesnin parimin mesjetar të çmimit të drejtë. “shitet aq sa e ka vlerën.” Në shoqërinë puritane nuk kishte vend për socializëm por prona private dhe nismat e lira njiheshin dhe mbështeteshin nga të gjithë. Lirisë ekonomike dhe politike i jepej një kontekst biblik, ndaj edhe shumë shpejt që pas themelimit të saj, SHBA u ngrit në një superfuqi botërore.

KUSHTETUTA DHE QEVERISJA AMERIKANE – më uniket në botë.

Për hartuesit e kushtëtutës amerikane, qëllimi kryesor i saj ishte ndarja e pushteteve dhe privimi i njeriut nga çdo autoritet absolut. E gjithë kushtetuta u hartua si një formulë matematikore e cila nuk lejon asnjë individ apo grup individësh të bëhet mbret, diktator, apo ta konisderojë veten si Zot të shtetit të ri. 

Impakti i krishtërimit dhe protestantizmit tek kushtetuta ndjehet qartë pasi ky dokument përbën një trup me pushtet të paracaktuar por pa një kokë njerëzore që e udhëheq. Ky shembull është marë nga parimi biblik i drejtimit në të cilën koka është Krishti dhe trupi është Kisha.

Kushtetuta u nda në tre pushtete: legjislativi, ekzekutivi, dhe gjyqësori. Të treja këto pushtete do kontrollonin dhe do balanconin njëra-tjetrën në çdo aspekt të qeverisjes. Asnjëra prej këtyre pushteteve nuk ishte mbi tjetrën dhe asnjëra nuk mund të komplotonte apo shkatërronte tjetrën. Nëse ndonjë individ apo grup individësh do abuzonin me pushtetin që iu ishte dhënë, ai apo ata do viheshin përpara ligjit dhe drejtësisë nga pushtetet e tjera. Kushtetuta caktonte një Kongres, President, dhe Gjykatë Supreme por asnjëra prej tyre nuk kishte autoritetin absolut. 

Koncepti i ndarjes së pushteteve vjen edhe nga parimi i trias politica; një model qeverisje i zhvilluar në Greqinë e lashtë dhe u përhap në Republikën Romake. Ky parim u bë i njohur nga Baron de Montesquieu. Por, hartuesit e Kushtetutës Amerikane vendosën të krijojnë një shtet edhe mbi shembullin e republikës Hebraike, ku qeverisja bazohej po mbi tre shtylla: legjislativi, ekzekutivi, dhe gjyqësori, por të treja nën autoritetin absolut hyjnor. Kjo ndarje pushtetesh vinte nga vargu biblik i Isaias: “Zoti është gjykatësi (gjyqësori) ynë, Zoti është ligjvënësi (legjislativi) ynë, Zoti është mbreti (ekzekutivi) ynë.” 

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme. 

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave. 

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit. Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Artikulli 1, Seksioni 3, i Kushtetutës së ShBA. thotë: “Senati do ndahet në tre Klasa. Vendet e Senatorëve të Klasës së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Klasa e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Klasa e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtëpërdrejtë nga populli por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet. Etërit amerikanë nuk besonin në demokracinë popullore dhe filozofinë e sundimit të shumicës, por hirarkinë elitare të përzier me demokraci përfaqësuese.      

Ndarja paralele e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë. Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjal si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. 

Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit.

BETIMI I PRESIDENTIT AMERIKAN  

Kushtetuta, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta ka qenë motoja e qeverisjes amerikane. 

Në 232 vjet asnjë gërmë e tekstit bazë të Kushtetutës nuk është prekur, por janë shtuar vetëm 27 amandamente, 10 prej të cilave u shtuan në vitin 1791 – të njohura si Bill of Rights – e më pas u shtuan edhe 17 të tjera, e fundit në vitin 1992.

Kjo tregon rëndësinë dhe shenjtërinë e Kushtetutës: e ruajtur, e respektuar, e pandryshuar, e padhunuar. Ndaj edhe ShBA është lider i kombeve sepse sekretin e ka tek Kushtetuta dhe kushtetutshmëria e drejtimit të vendit.

Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i ShBA, betohet se do e kryejë ofiqin e tij me të gjithë forcën dhe aftësinë dhe do mbrojë Kushtetutën e vendit. 

E veçanta e këtij betimi është se në të janë përcaktuar tre fjalë: “preserve, protect and defend” (ruaj, t’i qëndroj besnik, të mbroj) të cilat në thelb, në shqip kanë kuptimin “mbroj” por në fakt etërit amerikanë kanë përcaktuar qëllimisht tre fjalë të cilat parashikojne tre skenarë të ndryshëm në lidhje me Kushtetutën ndaj të cilave Presidenti duhet të qëndrojë vigjilent dhe i vendosur në mbrojtje të saj. 

– “Të ruaj.”

Presidenti betohet “Të ruaj” Kushtetutën siç na është votuar dhe mbështetur nga populli. Pushtetarët ikin e vijnë por ajo mbtetet themeli i një shteti. Ajo është vetë shteti. “Të ruaj” Kushtetutën, zotohet ai, pa lejuar asnjë eksperiment por duke respektuar trashëgiminë e kombit dhe vullnetin e një populli.

–  “T’i qëndroj besnik.”

Presidenti i SHBA, njeriu më i pushtetshëm në botë, pasi betohet se do ruajë Kushtetutën që kanë lënë trashëgimi etërit e kombit dhe vullneti i një populli zotohet t’i qëndrojë besnik duke dhënē shembullin t’i bindet çdo gërme dhe frymës së Kushtetutës. Kështu ai do jetë shembull dhe shtysë si për qeveritarët ashtu edhe për çdo qytetar të thjeshtë. 

Etërit amerikanē, përmes kësaj fjale përçuan mesazhin që Presidenti ka si detyrë të jetë garantori i Kushtetutës. Madje i pari në mbrojtje të saj! 

– “Ta mbroj.”

“Ta mbroj” nga çdo përpjekje e brendshme apo e jashtme për ta cënuar atë. Fjala që kanë zgjedhut etërit amerikanë është “defend” që do të thotë t’i dalësh përballë me trupin, forcën, të gjithë qenien tënde çdo përpjekjeje për dhunim, shkelje, abuzim dhe sulm nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithē fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.

Çfarē na mëson kjo formulë betimi dhe ky mision i përcaktuar nga etërit amerikanë, hartuesit e Kushtetutës më demokratike në botë?

Na mëson se Kushtetuta ështē themeli i një shteti. Se Kushtetuta është vetë shteti. Mbi të gjitha Kushtetuta është vetë populli. Dhe vullneti i një populli nuk gabon kurrë.

Na mëson se çdo qeveri që nuk e do, nuk e respekton dhe e përdhos Kushtetutën, ajo qeveri nuk e do, nuk e respekton dhe përdhos vetë popullin.

Dhe një popull që nuk mbron Kushtetutën nuk mbron as veten.

LIRIA – Zakoni i zemrës

Që në themelimin e shtetit amerikan, besimi, vlerat dhe liria u shndërruan jo vetëm në traditë, folklor dhe identitet, por në një “zakon të zemrës.”

Studiuesit dhe historianët debatojnë vazhdimisht se domethënia e lirisë amerikane gjendet në kontekstin e demokracisë greke, republikanizmin romak, të drejtat natyrale të mesjetës, humanizmin civil të Rilindjes, teologjinë e Reformacionit, traditën e Commonwealth-it britanik të shekullit të shtatëmbëdhjetë, ideologjisë opozitare britanike të shekullit të tetëmbëdhjetë, traktatet e John Locke, shkencën e Isac Newton, shkrimet e filozofëve skocez të moralit, vlerat e iluminizmit, dhe aksiomat e liberalismit klasik.

Por është më shumë se kaq.

Alexis Tocquevelle arriti në konkluzionin se liria ishte habitutes du coeur “zakon i zemrës.” Ai e quante moeurs libres, me anë të cilës ai i referohej zakoneve, besimeve, traditës, dhe stilit të jetesës së njerëzve të lirë.

Tocqueville besonte se liria si “zakon i zemrës” kishte një rëndësi të veçantë në Shtetet e Bashkuara, më shumë se sa në kombet e tjera. 

Ai “zakon zemre” ishte ngjizur në vizionin e pelegrinëve të parë të krishterë që përmbushën ëndrrën e tyre dhe të gjithë atyre që kërkonin liri e drejtësi, për të ndërtuar një “Qytet mbi Kodër” që do bëhej shembull lirie, begatie dhe drejtësie për të gjitha kombet.

Ndaj edhe në këtë 245 vjetor të pavarësisë së saj, nga çdo komb e gjuhë vjen urimi “Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Amerikë!”

*Lektor i Historisë dhe Politikës Amerikane