Prej orësh tashmë, anija “Moliva”, e cila ka në bordin e saj 102 kontenierë të dyshuar se janë me mbetje të rrezikshme qëndron në radën e portit të Durrësit dhe pritet të ankorohet pasditen e sotme në port.

Prokuroria e qytetit bregdetar vendosi sekuestrimin e kontenierëve dhe urdhëroi një sërë institucionesh vendore që të mbikqyrin rreptësisht depozitimin e mbetjeve në një vend të sigurt.

Në një deklaratë për mediat, Jim Pocket, drejtor i rrjetit të Bazelit, përshëndeti vendimin e prokurorisë dhe kërkoi transparencë në hapjen e 102 kontenierëve.

“Është lajm i mirë që Prokuroria mori menjëherë vendim. Kontenierët duhet të ruhen nën masa të rrepta dhe të hapen në transparencë të plotë me publikun. Askush nuk do t’i besojë rezultatet e analizave, nëse ato nuk kryhen në transparencë të plotë”.  

Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, u nis nga porti i Durrësit në korrik të këtij viti dhe kishte si destinacion Tajlandën e cila e refuzoi ngarkesën pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’.

Drejtori Pocket deklaroi se pas analizave mbetjet toksike duhet të depozitohen në një landfill që specializuar për trajtimin e tyre.

“Mbetjet toksike duhet të depozitohen në mënyrë definitive në një landfill apostafat për trajtimin e këtyre mbetjeve. Plani për t’i dërguar në Tajlandë ishte që fabrika ku do të shkonin të bënte vetëm ndarjen e zinkut dhe mbetjet e tjera të mos trajtoheshin. Kështu që as kjo nuk është zgjidhja e duhur. Këto mbetje nuk duhet të ekspozohen asnjëherë në ambiente të hapura, në shi dhe erë apo në port. Gjithashtu nuk duhej të eksportohej pa njoftuar qeverinë tajlandeze. Qeveria e Tajlandës nuk u njoftua asnjëherë”.

Njëkohësisht ai u bëri apel autoriteteve shqiptare, që të kryejnë një hetim të plotë brenda këtij viti.

“Jemi të shqetësuar për mënyrën sesi do të kryhet hetimi nga prokuroria. Ata duhet të analizojnë shpejt mbetjet dhe të hartojnë një raport brenda këtij viti. Është shumë e rëndësishme që këto mbetje toksike u kthyen në Shqipëri. Zgjidhja përfundimtare mund t’i jepet në një landfill të një vendi të Evropës perëndimore, ndërsa përgjegjësia për këtë i mbetet autoriteteve shqiptare.  Tashmë që ky është kthyer në incident ndërkombëtar, autoritetet shqiptare janë përgjegjëse për të. Ata mund të merren me pasojat dhe dëmet e asaj çfarë ka ndodhur”.

Një ditë më parë, PD dhe shoqëria civile organizuan një protestë në hyrje të portit të Durrësit për të kundërshtuar rikthimin e 2100 tonë mbetjeve toksike në vendin tonë.

M.B.