Studimi “Përfaqësimi politik në këshillat bashkiake pas zbatimit të kuotës gjinore 50/50: Çfarë po ndodh me hendekun gjinor?” është realizuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), nëpërmjet mbështetjes së projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar në Shqipëri nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).

Studimi është mbështetur në ndjekjen, transkriptimin, dhe analizimin e mbledhjeve të këshillave bashkiake, si dhe intervista të realizuara me këshilltarë në 11 Këshilla Bashkiakë dhe ka fokus krahasimor mes përfaqësimit politik në këshillat bashkiake në vitin 2023 me vitin 2018 dhe vitin 2016.  Studimi hedh dritë mbi barazinë gjinore në këshillat bashkiakë përtej arritjeve numerike: si ka ndryshuar hendeku gjinor përsa i përket angazhimit të këshilltarëve në diskutime që lidhen me cilësinë e qeverisjes dhe shërbimet vendore, si i shpjegojnë vetë këshilltarët ndryshimet që kanë ndodhur në kohë etj.

Erisilda Shpata

“Gjatë periudhës së marrë në studim, këshilltarët e morën fjalën 8,300 herë. Burrat e morën fjalën 6,169 herë (74.33%) dhe gratë e morën fjalën 2,131 herë (25.67%) – Hendeku gjinor vihet re gjatë të gjithë periudhës. Gjatë të gjithë muajve të marrë në studim, burrat e morën fjalën në më shumë se 70% të rasteve. U evidentuan 977 raste të ndërprerjes së fjalës (11.77%). Grave ju ndërpritet fjala më shpesh se burrave”- thotë Erisilda Shpata, nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri.

Si ka qenë cilësia e qeverisjes përgjatë viteve të marra në studim?

Frekuenca me të cilën gratë e morën fjalën në vitin 2023 (25,67%) ishte më e ulët se në vitin 2018 (34,34%) dhe vetëm pak më e lartë se në vitin 2016 (23,91%). Këshilltarët janë më të shqetësuar për zbatimin e dobët të ligjit, e ndjekur kjo nga mungesa e transparencës. Adresimi i shqetësimeve të lidhura me paanësinë nuk ka qenë shumë në fokusin e këshilltarëve. Këshilltarët e morën fjalën 1,182 herë (14.24%) që të diskutonin çështje të lidhura me zbatimin e ligjit, 1,024 herë (12.34%) që të diskutonin çështje të lidhura me transparencën, dhe 174 herë (2.10%) që të diskutonin çështje të lidhura me paanësinë.

Burrat, krahasuar me gratë, kanë më shumë gjasa të marrin fjalën dhe të diskutojnë çështje që lidhen me zbatimin e ligjit. Konkretisht, burrat e morën fjalën 910 herë (14.75%) për të diskutuar rreth kësaj teme, ndërkohë gratë e morën fjalën 272 herë (12.76%). Burrat dhe gratë, statistikisht, kanë të njëjtën gjasë të diskutojnë rreth transparencës dhe paanësisë.

Në vitin 2023—krahasuar me vitin 2018— këshilltarët kanë diskutuar rreth zbatimit të ligjit rreth 2 herë më pak. I njëjti konkluzion qëndron edhe në lidhje me transparencën. Ndryshimi më I madh në kohë doli në pah në lidhje më paanësinë, ku këshilltarët, në vitin 2023, e morën fjalën vetëm 174 herë për të adresuar shqetësime që lidhen me mungesën e paanësisë.

SHËRBIMET VENDORE:

Arsimi dhe mirëqenia sociale—dy fushat që dominoheshin nga gratë në vitin 2018—në vitin 2023 janë dominuar pothuajse në mënyrë të barabartë nga gratë dhe burrat. Shërbimet publike dhe ujësjellësi—të cilat dominoheshin nga gratë dhe burrat, në mënyrë të barabartë në vitin 2018—u dominuan nga burrat në vitin 2023. Gratë, statistikisht, nuk dominuan në asnjë fushë në vitin 2023.

KONKLUZIONEtT DHE SUGJERIMET E STUDIMIT

Statistikisht, nuk u evidentua asnjë fushë ku të kishte patur një lloj progresi për gratë, krahasuar me burrat. Në fakt, e kundërta qëndron. Burrat kanë forcuar pozitat e tyre dominuese karshi grave në Këshill. Në mënyrë ironike, rritja numerike e grave në këshillat bashkiake duket se i ka shërbyer më shumë burrave— duke forcuar pozitat e tyre dominuese gjatë mbledhjeve. U evidentuan raste kur gratë vunë në pah hendekun gjinor dhe propozuan ndryshime. Megjithatë, këto ishin raste sporadike, të pamjaftueshme për të nxitur ndryshim brenda këshillave.

Argumenti i rritjes numerike—i prezantuar shpesh dhe me krenari nga partitë politike— duhet të shihet me skepticizëm dhe të kundërshtohen rastet kur ky argument përdoret për të thënë se vendimmarrja po ndikohet fuqishëm nga gratë. Po ashtu, organizatat politike dhe jo-politike (p.sh., forumet politike, aleancat, organizatat e shoqërisë civile) duhet të fokusohen tek pengesat që hasin gratë pasi bëhen pjesë e këshillave bashkiake. Në fund, sugjerojmë që organizatat e shoqërisë civile t’i konsiderojnë mbledhjet si hapësira ku mund të advokojnë për grupet me të cilat punojnë dhe të zhvillojnë bashkëpunime me këshilltarët.