Akademiku i njohur Artan Fuga i ka kthyer një përgjigje Filip Guraziut, në lidhje me përdorimin e gegnishtes në fjalor.

Në një postim në “Facebook”, Fuga shprehet se mbështet çdo kauzë dhe i bashkohet çdo peticioni, çdo lëvizjeje që duke forcuar Shqipërinë, hap vend për lulëzimin e gegnishtes dhe toskërishtes, duke shpjeguar dhe parimet mbi të cilat vjen ky qëndrim i tij.

Sipas Fugës, gjuhet krahinore duhet të mësohen në shkolla, ndërsa thekson se duhet ta tejkalojmë këtë ndarje në mënyrë që uniteti kombëtar të jetë i njëjti.

POSTIMI I PLOTË:

Përtej unifikimi stalinist, për një kulturë shqiptare sa konvergjente aq edhe të larmishme

Përgjigje një ftese miqësore

Shumë i nderuar z. Filip Guraziu,

Ndjesë për përgjigjen pak të vonuar, por siguroj që nuk e kisha harruar aspak. Unë sikurse edhe ju ndihem i frustruar nga trajtimi arbitrar i leksikut, morfologjisë, sintaksës, gramatikës nga fjalorët dhe nga gramatika e sotme e shqipes, kur bëhet fjalë për njëanshmëritë dialektale të politikave gjuhësore që vazhdojnë prej disa dekadash. Sigurisht jam kundër të përjashtohet pasuria e gegnishtes dhe, në librat e mi mbi komunikimin e kam shprehur këtë qëndrim. Po kështu mbështes përpjekjen tuaj për të ndikuar akademinë e shkencave ndonëse ju e dini që duke qenë anëtar i saj, unë nuk pajtohem asnjë dekikë as me organizimin dhe as me orientimin e saj të sotëm strategjik.

Thënë këto, mendoj se kauza që mbroni nuk lidhet vetëm dhe thjesht me paskajoren, por shumë më gjerë se aq. Unë sugjeroj modestisht që ju ta zgjeroni spektrin e ambicieve tuaja aq të vlerësuara nga unë. Juve ju takon të mbroni të drejtat e njohura botërisht për gjuhët regjionale, ju takon e drejta për të pasur e ruajtur kulturën dialektale, traditat kulturore dhe historike, ku kanë dhënë kontribut gegë të mëdhenj, shqiptarë të mëdhenj Ndre Mjeda, Ernest Koliqi, Migjeni gjithashtu pse jo, Gjergj

Fishta, më parë i madhi Marin Barleti, metafizicienë të shquar si Frano Bardhi, etër të mëdhenj franceskanë etj. të Kishës Katolike, ku veçoj shkrimet dhe meshat e shumë të lartit imzot Mëshkallës, e kështu me radhë pa fund personalitete të mëdha.

Ne si shqiptarë duhet të kemi të drejtën minimale t’i lexojmë në origjinal në gjuhën e tyre. S’ka kongres e akademi që ta ndalojnë dot këtë.
Është e drejtë që nxënësit dhe studentët e mi gegë të kenë të drejtën të mos jenë viktima të skizofrenisë linguistike që gjuhë tjetër të flasin në shtëpi dhe tjetër gjuhë dialektale t’u imponohet në shoqëri.

Patjetër na duhet një gjuhë zyrtare e përbashkët. Mirëpo, e përbashkëta nuk është shkatërrim i të veçantave, por sikurse ka argumentuar Jurgen Habermas e të tjerë sot uniteti linguistik dhe shkencor është tërësia integrale e diversitetit. Nuk është fjala thjesht te paskajorja, por te e drejta e pamohueshme për zhvillim shpirtëror që konceptet linguistike staliniste që vazhdojnë të dominojnë politikat gjuhësore na kanë copëtuar dhe tharë kulturën tonë kombëtare.

Kombi për mua nuk i ngjason shqiponjës me dy flatra, një gege dhe një toske, por është një, ne duhet ta tejkalojmë këtë ndarje në mendje në mënyrë që uniteti ynë kombëtar të jetë i njëjti zog shqiponje atje ku gegnishtja dhe toskërishtja bashkohen, konvergjojnë, dhe pas kësaj zone çeliku, mishi e gjaku, lulëzojnë diversitetet që janë pasuri dhe jo pendë harabelash që stalinistët i kanë prerë me gërshërë censure, pa turp dhe pa kërkuar falje.

Gjuhët krahinore duhet të mësohen në shkolla sepse edhe programet e shkollave, edhe abetarja, edhe fizkultura në shkollë sot kuptohen si unitet përjashtues ku zgjedhja burokratike than dhe shkelmon diferencat krahinore aq të lavdërueshme në kulturën tonë të përbashkët shqiptare.

Ne jemi shqiptarë, por pas kësaj kemi fe të ndryshme sepse feja e shqiptarit nuk është shqiptaria, por besimet fetare. Tjetër ndërgjegjja kombëtare dhe tjetër besimet fetare që Pashko Vasa i ngatërroi padashje në ndonjë varg për shkak të rimës, dhe që u keqpërdorën dhe vazhdojnë të keqpërdoren nga lloj-lloj patriotësh që në fakt janë maskarenj!

Paskajorja nuk duhet të ngatërrohet me ngarkesa politike. Duhet bërë thirrje gjuhëtarëve që ajo që quhet paskajore sot në shqipen e quajtur zyrtare, burokratike, ka kuptime të tjera dhe nuk është paskajore. E përcaktuara në kuptim nuk mund të jetë e paskajshme. Megjithatë kjo ha debat jo vetëm linguistik, por edhe në fushën e logjikës ku unë punoj, por ndodhem i përjashtuar dhe i persekutuar intelektualisht nga politika që as më kuptojnë dhe as i kuptoj dhe i refuzoj kategorikisht.

Gjithsesi kauza juaj duhet të adresohet shkencërisht, mbështetur nga gjuhëtarë, logjicienë, sociologë, juristë, pa politizime, pa dasi, dhe kështu të bëjmë të mundur që të kemi një harmoni kulturore Jug-Veri, për t’i ikur kurthit kulturor të sotëm ku Toskërishtja hiqet si sunduese, në fakt ka çelësat e kashtës, dhe Gegnishtja ndihet e masakruar nga tjetër politikë, dhe aspak nga toskërishtja si e tillë.

Mbi këto parime, dhe vetëm mbi, to unë mbështes çdo kauzë, i bashkohem çdo peticioni, çdo lëvizjeje që duke forcuar Shqipërinë, hap vend për lulëzimin e gegnishtes dhe toskërishtes. Çdo fjalor gjuhe, enciklopedi, apo histori, që nuk sheh nga rrënjët dhe nuk spastron skoriet ideologjike staliniste kurrë nuk do të ketë mbështetjen time, as edhe dasitë krahinore, fetare, kulturore, por vetëm diversiteti në unitet. Këtë koncept të fundit fatkeqësisht po na pengohet ta zhvillojmë dhe shpalosim.

Me respekt për kauzën që përfaqësoni dhe sidomos për ju vetë, ,

Artan Fuga

Anëtar i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë