Gjermania i ka kërkuar Serbisë që t’i rishqyrtojë vendimet që i mori Qeveria e saj disa ditë më parë lidhur me Kosovën. Gjermania ka theksuar se Serbia i ka shkelur obligimet që dalin nga procesi i dialogut.

Të hënën, Qeveria e Serbisë miratoi dy projektligje – njëri që e shpallte Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe atë që parasheh ndjekjen penale të atyre që, sipas Serbisë, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë.

“Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin mbi veprat penale, shkel qartë obligimet e saj nga dialogu. I kërkojmë Serbisë që ta rishqyrtojë. Të dyja shtete, Kosova dhe Serbia, duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Ministria e Jashtme gjermane në platformën X.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e patën kritikuar ditët e fundit Serbinë për këto vendime. Ato thanë se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar projektligjin për juridiksionin gjyqësor në Kosovës dhe projektligjin tjetër.