Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit bëhet institucioni i parë i arsimit të lartë në vendin tonë, por edhe në Ballkanin Perëndimor që hap një program të ri studimi “Teknologjia kuantike”.

Programi i ri i masterit shkencor synon të formojë një brez të ri profesionistësh në fushën e teknologjisë kuantike dhe kompjuterave kuantikë. Ky është një sektor në zhvillim, që po bëhet gjithnjë e më i prekshëm në ekonominë globale, financa, shkenca biomjekësore dhe sigurinë industriale.

“Ky master është i vetmi i këtij lloji në rajonin tonë, në Ballkan dhe më gjerë. Ky master do t’i përgatisë studentët përsa i përket teknologjisë kuantike, e cila është trendi i informatikës moderne në kohën e teknologjisë së informacionit”,– thotë për “Durrëslajm”, rektori i UAMD-së, Shkëlqim Fortuzi.

“Është një hap totalisht kolosal. Është e re në botën perëndimore dhe sigurisht Shqipëria është vendi i parë i Ballkanit perëndimor, që e zhvillon në universitet një kurrikulë të tillë. Pjesa më e madhe e stafit akademik, që angazhohet në këtë program janë ekspertë të fushës, që vijnë nga jashtë Shqipërisë. Janë ekspertë në teknologji, inovacion dhe akademi”,– thotë drejtori i Drejtorisë së Kurrikulave në UAMD, Spiro Paço.

Pë studentët e parë të këtij masteri shkencor, studimi në këtë degë është një sfidë, por edhe një mundësi shumë e mirë për një të ardhme të sigurt për punësim në tregun global të punës.

Si një nga universitetet e para në Evropë që po fut një program të ri studimi në këtë fushë, UAMD ka gjetur një mbështetje të madhe nga universitete dhe bota e biznesit në SHBA.

Në një konferencë online me studentët dhe lektorët e këtij programi studimi, biznesmeni dhe eksperti amerikan Tom Darden përshëndeti faktin që universiteti i Durrësit bëhet pararojë në këtë fushë studimi.

“Këto janë teknologji dhe çështje tek të cilat duhet të fokusohen të gjitha universitetet. Kjo teknologji nuk duhet të studiohet vetëm në universitetet më të njohura në SHBA. Ju keni një mundësi shumë të mirë, pasi kjo teknologji është shumë e re dhe do të ketë një impakt të madh. Ka shumë sisteme tashmë, që përdorin këtë teknologji. Në Shqipëri ju keni shumë të rinj të talentuar të fokusuar në teknologji dhe shkencë, të cilët mund të angazhohen me sukses në këtë fushë, që tashmë është e zhvilluar në SHBA, por që do të përhapet shumë shpejt edhe në Evropë”,– deklaroi Tom Darden, themelues dhe CEO i Cherokee.

Qëllim kryesor i këtij programi studimi është të trajnojë specialistë të aftë për t’iu qasur botës së teknologjive kuantike me njohuritë dhe kompetencat që kërkon tregu i punës.

M.B.