NGA BUJAR QESJA
Se si më duket se mëngjeset kaq të bukura, kaq të veçanta, kaq mahnitëse që vazhdojnë ende të mos pushojnë, këtu në këtë vend tim të mikpritjes, janë më origjinalet, më të veçantat, më spikatëset se në çdo vend tjetër. Mbulohem me këtë mirësi të natyrës, e cila po na privilegjon dhe na mban afër më shumë se kudo.
Mëngjese rutinë në dukje këto të miat, por me jetë, me ngarkesë, me muzikalitetin e një njeriu, që kërkon t’i japë të gjallit të tij kënaqësitë e nevojshme. Plane në kokë e në mëndje sa të duash. Përjetimi i kësaj moshe, vjen me surpriza disa prej të cilave ja bëj vetes, e disa të tjera mi bëjnë të tjerët, kryesisht miq dhe shokë.
E dielë, 3 nëntor 2024. Dielli më ishte përplasur në mjedisin ku po qendroja dhe prisja më pas të më ngrohte edhe fizikun. Kur papritur, më çfaqet burri zotni i Durrësit, që mbase nuk i gjej konkurent tjetër, pasi veçmas ka krijuar profilin e tij të një qytetarie tejet të veçantë, me kulturë dhe edukatë, me personalitet dhe sjellje shumë më të avancuar se shumica e jonë. Jam i sigurtë, që në këtë formatim të mendimit për këtë të rrallë zotni, nuk i jam i vetëm.
Quhet Fatbardh Dedja. Duke qenë, se pjesa më e madhe e jetës së tij ka kaluar në Kinë, me humor në Durrës i është vënë krahasimi “Bardh kinezi”. I veshur shik, me fizik që nuk ia ka hequr imazhin e paraqitjes kur ishte i ri, por me një të folur dhe kulturë veçuese, e nis komunikimin me mua, durrsakun shumë modest të qytetarisë dhe gazetarisë durrsake:
-E kishim lënë me një grup shokësh, të konsumomim kafenë e mëngjesit në këtë zonën e bareve pranë muzeut të luftës. Por pa dalë nga shtëpia i thashë zonjës time, se do të kthejë nga miqtë e mi, çiftin simpatik dhe të respektuar Kostandina dhe Bujar Qesja. Ti përshëndes! Ti takoj për të ditur se si janë me shëndet! T’u them që Bardh Dedja, nuk i ka harruar dhe dëshiron t’i shikoj sa më mirë! Më fal se ju shqetësoj, se mbase jeni me halle, por nuk mund të rrija pa ju parë!
Hej Bardh Dedja, miku jonë i mirë. Sa përshtypje bën kjo sjellje, bën ky veprim në kohën e tanishme, ku nuk mund të bëj sikur nuk di gjë. Mjaft zakone të mira tonat po zbehen, po veniten, pasi dua të frenohem disi, për të thënë që po zhduken. Sa shembull të bukur jep ky Fatbardh, që me këtë sjellje dhe me ndihmën e Zotit, i ka dhënë fat të bardhë jetës së tij, punës, së tij, familjes së tij, por edhe miqësisë dhe shoqërisë së tij.
Leksion mund ta quaj, mësim mund ta quaj, frymëzim mund ta quaj, nuk po di. Por në një gjë jam i bindur, se ky mbi 90-të vjeçar, vazhdon të jap formatin e fort të edukuarit njeri, me zakone të fisme puro shqiptare.
Tek unë, këtu në këtë barangë të thjeshtë siç e quajti Shpendi Topollaj, vijnë shumë, takohem me shumë, bisedoj me jo të paktë. Por ky “kinezi ynë durrsak” seç ka tjetër veshje, prezantohet me tjetër kostum, të lenë tjetër mbresë kur të thotë:
-Erdha për t’iu parë, se si jeni. Është e moçme kjo sjellje, ky pozicion dhe unë nuk e kam harruar.
Mëngjeset e mia. Rutina ime. Por ja që çfaqet një mëngjes ky 90-të vjeçar ( e paçim edhe për shumë vite së toku me ne) dhe kërkon të çmallet me një mik e bir miku, thjesht për ta pyetur :
Se si është me shëndet.
A kam të drejtë t’a trajtojë si të veçantë këtë veprim, këtë gjest, këtë dukuri shpirtërore plotësisht të pastër? Se ç’po dëgjojmë, e se ç’po shikojmë, kjo e Fatbardhd Dedjes në këtë mëngjes të 3 nëntorit 2024, meriton dhjetë me yll.
Jetë të gjatë “kinezi ynë”!
Bujar Qesja
Durrës: 3 nëntor 2024