Grupi politik i Elon Musk mund të vazhdojë të japë 1 milion dollarë (722,000 £) për votuesit në shtetet e luhatshme.

Shpërblimi i ofruar nga PAC-i i Musk, America PAC, do të përfundojë sot, dhe fituesi i fundit tashmë është përcaktuar, tha një avokat i miliarderit në një seancë gjyqësore të hënën.

Në një zhvillim të papritur, avokati zbuloi se ata që do të marrin paratë nuk janë zgjedhur rastësisht në një konkurs me short, siç besohej nga shumë njerëz, por janë seleksionuar nga grupi.

Prokurori i Qarkut të Filadelfias, Lawrence Krasner, kishte paditur për të ndaluar atë që ai e quajti një “llotari të paligjshme” pasi Musk shpalli se do të jepte nga një milion dollarë çdo ditë për një votues në një shtet kyç deri në Ditën e Zgjedhjeve.

Gjyqtari i Pensilvanisë, Angelo Foglietta, nuk dha menjëherë një arsye për vendimin, që u mor disa orë pas seancës, sipas Associated Press.

“Fituesit e 1 milion dollarëve nuk janë zgjedhur rastësisht,” tha avokati, Chris Gober, gjatë seancës, sipas Associated Press.

”Ne e dimë saktësisht kush do të shpallet si fituesi i 1 milion dollarëve sot dhe nesër.”