Bitcoin kaloi vlerën e 75 000 dollarëve, për herë të parë sot, i nxitur nga perspektiva e relaksimit rregullator të favorshëm për monedhat dixhitale në rast të fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Pasi ka tejkaluar kulmin e tij të fundit absolut që daton në marsin e kaluar (73 797 98 dollarë), monedha e parë dixhitale sipas kapitalizimit u rrit në 75 005 dollarë rreth orës 03:08 GMT, një rritje prej rreth 8%.
Çmimi i bitcoin u rrit në unison me dollarin në tregjet e lidhura me rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale amerikane, duke përfshirë shtetet e fituara nga Donald Trump me një diferencë që gjykohet të parashikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
”Tregjet kanë filluar të vënë bast për kthimin e Trumpit. Ai fitoi me një diferencë më të madhe se sa pritej në Florida, një shtet shumë i populluar, i cili përforcon pritshmëritë për rezultate të republikanëve më mirë se sa pritej diku tjetër në vend”, tha Yugo Tsuboi, analist në ”Daiwa Securities”, cituar nga agjencia Bloomberg.
Ish-presidenti u zotua gjatë fushatës për t’i bërë Shtetet e Bashkuara “kryeqytet botëror të bitcoinit dhe kriptomonedhave”, duke imponuar një kuadër rregullator jashtëzakonisht të relaksuar.
“Çmimi i bitcoin ndjek nga afër pozicionin e Trump në sondazhe, sepse për investitorët, një fitore republikane do të çonte në një rritje të kërkesës për monedhën dixhitale”, vuri në dukje Russ Mold, analist në ”AJ Bell”, përpara zgjedhjeve.
Duke u paraqitur si kampioni i kriptomonedhave, biznesmeni ka pikëpamjen e kundërt të qeverisë Biden, e cila konsiderohet në favor të rregullimit të rreptë të sektorit, edhe nëse demokratja Kamala Harris u përpoq të jepte premtime për të qetësuar mbajtësit e kriptomonedhave.
Analisti vëren gjithashtu se mandati i mëparshëm i republikanit “u shënua nga shkurtime të konsiderueshme të taksave të korporatave, të cilat injektuan likuiditet shtesë në tregje, duke nxitur kështu investimet në aktive me rritje të lartë”.