Nga Gëzim KABASHI

Dy javë më parë, shoqata  “Durrësi Autokton” nderoi me titullin “Nderi i qytetit” edhe mjekun stomatolog Enver Kotorri.

Dr Kotorri nuk jeton më prej gati 20 vjetësh, por Durrësi vazhdon ta kujtojë, si një prej mjekëve, që i shërbeu me devocion bashkëqytetarëve të tij.  

Ky shkrim që u publikua në vitin 2012 synon ta rikthejëmë të plotë figurën e mjekut dentist.
 
Enver Kotorri ishte djali i vetëm i kapidanit ulqinak Mehmet Kotorri.

Ai lindi në Shkodër më 24 gusht të vitit 1934, atje ku prindët e tij ishin vendosur pas largimit nga qyteti i origjinës, Ulqini.

Për ti ardhur në ndimë familjes Enveri nisi të punojë shumë shpejt si ndihmës mjek, menjëherë pasi përfundoi Politeknikumin Mjeksor në Tiranë.

Pas tre vjet pune në Durrës Enver Kotorri u nis për studime të larta në ish-Gjermaninë lindore. Ishte viti 1957 dhe studenti nga Durrësi nuk mundi të qëndrojë më shumë se një vit në auditoret e Universitetit të Lajpcigut.
Vdekja e papritur e babait, kapidan Mehmet Kotorrit; nevojat në rritje të familjes për ta patur pranë djalin e vetëm, si dhe “prishja” e Shqipërisë me vendet e tjera të Bllokut lindor e detyruan djaloshin 24-vjeçar të rikthehet në atdhe.

Megjithatë Enver Kotorri nuk e braktisi ëndrrën për tu bërë dentist.

Në vitin 1963, kur përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës mjeku i sapodiplomuar u nis drejt Kukësit, atje ku e emëruan fillimisht.
Dentisti durrsak do të kthehej përfundimisht në qytetin e tij pas tre vjetësh, në vitin 1966, për të nisur detyrën e re në ambulancën stomatologjike, në katin e sipërm të godinës që strehoi për më shumë se 30 vjet këtë shërbim në Durrës.

“Kemi lyer së bashku mjediset e ambulancës, ku do të punonte dr. Enveri – kujton kolegu i tij, Vangjel Aleksi, i cili sapo ishte diplomuar si dentist.

Rrethanat e mesit të viteve 1960 dhe largimi e më pas dënimi për agjitacion e propogandë i dr. Hasan Jeros, mjekut të diplomuar në Francë për stomatologji, do ti ngarkonin Enver Kotorrit një detyrë shumë më me përgjegjësi se sa drejtimi i ambulancës së klinikës së Durrësit.

Dr. Enver Kotorri emërohet drejtor i shërbimit stomatologjik të rrethit të Durrësit. “Kishim një grup të vogël mjekësh dhe infermierësh në qytet, ndërsa pjesa tjetër ishte e shpërndarë në Shijak, Manëz, Kavajë, Rrogozhinë si dhe në qendrat e kooperativave bujqësore në fshatra – vijon tregimin e tij dr. Vangjel Aleksi, i cili ka punuar një jetë pranë dr. Enver Kotorrit.

Bashkë me ta kanë punuar edhe dentistë të tjerë të shquar, si Haki Bllaca, Fiqiri Deliallisi, Pirro Qerimi, Viktor Ristani, etj.
10 vjet pas emërimit në drejtimin e këtij shërbimi në Durrës, mjeku që tashmë kishte një përvojë të gjatë specializohet në degën e kirurgjisë stomatologjike në Tiranë.

Fillon një periudhë pune intesive, e cila ndikohej edhe nga rritja e numrit të popullsisë.

Duke kujtuar ecurinë e këtij shërbimi dr. Vangjel Aleksi thotë se brenda pak vitesh personeli mjeksor u 4-5-fishua. Pikërisht në këtë periudhë dr. Enver Kotorri referon dhe boton tema shkencore të rëndësishme në fushën e kirurgjisë si: “Kistet odontogene”, “Fraktura e regjionit maksilofacial”, “Kistet e nofullës së sipërme”, “Abseset e regjionit mandibular dhe flegmonet e tij”, etj. disa prej të cilave në bashkëpunim me dr. Vangjel Aleksin.

Studioja e dr. Kotorrit dallonte për cilësinë e shërbimit dhe të pajisjeve, gjithmonë e rregullt, falë seriozitetit të tij në punë. Pacientëve të traumatizuar u shërbehej në çdo orë, në klinikë apo në spital.

Bashkë me kolegë të tjerë dr. Enver Kotorri bëhet promotor i kërkesës për ndërtimin e një klinike të re dentare.

“Në mesin e viteve 1980 nevoja për një godinë tjetër u bë domosdoshmëri-kujton dr. Aleksi. Ne vazhdonim të punonim njëlloj si qytetet më të mëdha të vendit, në banesa të ish-pronarëve, të cilat ishin adaptuar me shumë vështirësi nga apartamente banimi në studio të shërbimit dentar.

Durrësi arriti të zhbllokojë fondet për ngritjen e godinës së klnikës, e cila u mendua të ndërtohej fillimisht përballë stacionit të autobuzëve të plazhit, aty ku sot ndodhet pallati i kompleksit të bar-restoranteve “Pranvera”.

Klinika e re, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë u ngrit pranë Poliambulancës, në lagjen 3, shumë pranë qendrës së qytetit.
Dr. Kotorri që kishte shërbyer tashmë për 22 vjet si drejtues model i shërbimit del në pension në vitin 1990. Dr. Enver Kotorri vdiq në më 14 shkurt të vitit 2005. Bashkë me cilësitë profesionale në drejtim dhe në fushën e mjeksisë kishte lënë pas një familje të mrekullueshme.

Siç shkruan “Buletini i Urdhërit të Mjekëve të Shqipërisë” “kolegët e tij do ta kujtojnë dr. Enver Kotorrin me respekt si mjek i palodhur, serioz në punë, zemërbardhë, simbol i rregullit dhe ndihmës së pakursyer në fushën e stomatologjisë”.