Drejtësia italiane ka dënuar me nga 18 vite burg për secilin, dy vëllezërit shqiptarë që vranë me thikë bashkatdhetarin e tyre në Itali, ngjarje kjo e ndodhur më 23 korrik të vitit 2023.
Vëllezërit me origjinë shqiptare Klinton dhe Ilmi Rakipaj, përkatësisht 20 dhe 25 vjeç u dënuan me 18 vjet burg, nën akuzën për veprën penale “vrasje me dashje” të 24-vjeçarit Albert Deda.
Gjithashtu ata akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë, pasi atë ditë plagosën me thikë dy të rinj shqiptarë të moshës 26 dhe 28 vjeç.
Më 23 korrik 2023 dy vëllezërit, me banim në via Dorighello në rrethin Forcellini të Padovës, në kulmin e një debati goditën me thikë në zemër 24-vjeçarin Albert Deda dhe plagosën rëndë një 26-vjeçar dhe një 28-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare.
Sherri mes të rinjve filloi brenda një banese, e cila degjeneroi në agresion dhe kulmoi, me goditjen me thikë fatale të njërit prej personave të përfshirë..
Klinton dhe Ilmi Rakipaj u kapën të nesërmen nga policia rrugore e Palmanova në kryqëzimin e autostradës Villesse, njëzet kilometra larg kufirit italian.