I pozicionuar në mes të gjelbërimit, ku fëmijët kanë një kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejtë me natyrën kopshti “Mollakuqe” është mjaft i veçantë në llojin e tij.
Që nga dita e parë kur ka hapur dyert në të është praktikuar pedagogjia Wardolf – Steiner, e cila është mjaft e njohur në të gjithë botën me një sistem zinxhir institucionesh arsimore parashkollore dhe të gjitha ciklet e tjera të arsimit parauniversitar.
“Ka nisur si një dëshirë e madhe për të sjellë diçka që në Durrës dhe Shqipëri mungonte, ndërkohë që është në të gjithë botën, si pedagogji. Ajo çfarë unë mendoj se e bën realisht të veçantë është kontakti me natyrën dhe një ritëm që në në kopësht sjellim. Gjithashtu, mësuesja është kryesore. Për këtë lloj pedagogjie trajnohen jashtë shtetit edukatoret, sepse nuk kemi një shkollë këtu në Shqipëri”,- rrëfen administratorja e tij, Anita Huqi.
Kopshti “Mollakuqe” është hapur në zonën e Xhafzotajt, në rrugën kryesore Durrës – Shijak. Përzgjedhja e vendit, ku vogëlushët e moshës 3-6 vjeç do të kalonin shumë orë të ditës është bërë me një qëllim të caktuar.
“Është zgjedhur pikërisht këtu, pasi pjesa kryesore është natyra, lidhja e ngushtë me natyrën, qëndrimi i fëmijëve në mënyrë jo vetëm të lirshme, por edhe duke bërë aktivitete siç është mbjellja e bimëve, që më pas i marrim dhe ushqehemi brenda në kopësht. Janë kafshët etj, gjëra që janë praktike dhe edukative për fëmijët në mënyrë natyrale. Pra jo duke i folur, por duke i prekur dhe duke i bërë”.
Kalimi i kohës në ambient të hapur, në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën, përfshirja e tyre në procesin e përgatitjes së ushqimit, apo orët e dedikuara shpalosjes së kreativitetit të tyre dhe lojëra individuale apo në grup janë disa nga shtyllat kryesore të edukimit të përditshëm, që këta vogëlushë marrin në kopësht.
Por krahas edukimit të fëmijëve, një hallkë e rëndësishme është edhe trajnimi i prindërve dhe familjeve, që ofrohet në ambientet e kopshtit.
“Ambienti është krijuar që të zhvillohen edhe trajnime si për prindërit, ashtu dhe për komunitetin, të cilat shërbejnë për të njohur si pedagogjinë Waldorf ashtu dhe rritjen e fëmijëve në një mënyrë sa më natyrale”.
Shkolla e parë Waldorf u hap në vitin 1919 në Shtutgart, Gjermani, ndërsa sot ajo është bërë lëvizja më e madhe e pavarur e shkollës në botë me më shumë se 1200 shkolla dhe afro 2000 kopshte në 75 vende të botës.
M.B.