Doli nga rruga, por donte ta mbante të fshehtë që të përfitonte dëmshpërblim nga kompania e sigurimeve.
Nuk i është dashur shumë gjatë që të mendojë 22-vjeçari nga Nikla, Armando Kallmeti, të cilit sapo i ra makina tip “Benz” në kanal nuk mendoi të thirrte policinë, por shokun e tij.
E kështu, bashkë me 25-vjeçarin Igli Topalli, nga Tapiza, më 4 tetor inskenuan një histori. Ata bënë sikur ishin përplasur bashkë dhe kur kanë shkuar efektivët e policisë rrugore u kanë paraqitur të dhëna të rreme për automjetin që sigurohet.
E duket se të rinjtë kanë menduar se do përfitonin nga kjo histori. Por pas më shumë se një muaji nga dita e këtij aksidenti të pretenduar, policia i vuri në pranga.
Ata zbuluan skemën e dy të rinjve dhe si provë kanë momentin e aksidentit të të riut, kur bie në kanal.
Ata u arrestuan dhe ndaj tyre rëndojnë dy vepra penale, “Mashtrimi në sigurime” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim.