Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha sot se një tjetër investim i kësaj ministrie po transformon Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave në një qendër bashkëkohore për përgatitjen e inxhinierëve të minierave, gjeologëve, inxhinierëve të naftës dhe shumë disiplinave të tjera në sektorin e Mjedisit, Gjeoinformatikës, dhe Shfrytëzimit të Mineraleve.

“Projekti përfshin rikonstruksionin e godinës ekzistuese, duke krijuar ambiente moderne me salla auditorësh dhe laboratorë të avancuar, si dhe ndërtimin e Muzeut të Gjeologjisë dhe Minierave. Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, duke ofruar kushte më të mira për studentët dhe stafin akademik”, thotë Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

Në projektbuxhetin 2025 për arsimin dhe sportin, ministrja Manastirliu është shprehur në Kuvend se ky buxhet reflekton prioritetet në arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe në sport duke mbështetur politikat, strategjitë kombëtare e impenjimin që ka ministria për rritjen e standardit dhe cilësisë në edukim. Ministrja theksoi se buxheti për arsimin është buxheti më i madh historik, që prioritizon investimet në arsim dhe rritjen e pagave për arsimtarët, investimet në teknologji në shkolla etj.