Një mbrëmje për të zbuluar më shumë Durrësin, por edhe kulturën dhe muzikën shqiptare.

Ishte konceptuar në këtë formë, mbrëmja që mblodhi në një lokal në shëtitoren bregdetare artistë të rinj të qytetit dhe shumë të huaj, që prej muajsh apo vitesh jetojnë e punojnë në Durrës.

Fotografi Griseld Hoxha prezantoi për herë të parë në gjuhën angleze katalogun e tij fotografik “Photography Touches That City’s Senses”.

Për shtetasit nga Britania e Madhe, Italia e deri në Filipinet e largëta kjo mbrëmje merrte një rëndësi të veçantë, pasi përmes interpretimit të historive dhe fotove nga artisti Alesio Hysenaj, krijuan një kuadër më të plotë të qytetit.

“Është një mundësi për të njohur kulturën, të kaluarën e Durrësit, por edhe të Shqipërisë. Mos të harrojmë që kultura juaj është mijëra vjeçare dhe do ishte mirë që të ruhej edhe në të ardhmen, që zakonet e traditat të trashëgohen.”

“Tek ju më pëlqejnë njerëzit, komuniteti, familjet. Kultura, trashëgimia dhe komuniteti ecin së bashku, i japin rëndësi njëra-tjetrës”.

“Prej 8 ditësh jam në Durrës dhe sonte ndodhem këtu, sepse dua të mësoj më shumë për qytetin. Më pëlqejnë sitet historike, palmat, Vila e mbretit Zog ishte shumë e bukur. Dua të mësoj edhe disa fjalë shqip, të prezantoj veten time. Të njohësh historinë tuaj është shumë e rëndësishme, sepse ju keni një histori të lashtë.”

‘Është e rëndësishme për mua të njoh kulturën dhe artistët e vendit të origjinës së bashkëshortit tim. Jetoj këtu prej më shumë se 6 muajsh tashmë, sepse jam martuar me një shqiptar”.

Nën tingujt magjikë të flautit të muzikantit Eni Haxholli, mbrëmja vijoi mjaft këndshëm. Banorë të Durrësit dhe shtetas të huaj e shfrytëzuan atë për t’u njohur më shumë me njeri-tjetrin duke shkëmbyer eksperiencat jetësore.

Për shumë të huaj, Durrësi nuk është vetëm një qytet ku mund të kalohen disa ditë pushime, por një qytet ku pse jo në një të ardhme të afërt mund të kthehesh në rezident të tij.   

M.B.