Ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare në SHBA Prof. Sami Repishti, një nga personat më të famshëm që u bënë figura të mbijetesës gjatë viteve të komunizmit në vendin tonë. Prof. Repishti lindi në lagjen Dudas të Shkodrës më 6 prill 1925. Pasi studioi për një vit në Firence të Italisë, u kthye në Shqipëri në vitin 1943. Ai u arrestua në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Për 14 muaj iu nënshtrua torturave nga Sigurimi i Shtetit dhe më pas u dënua me 15 vjet burgim, nga të cilat 10 vjet i vuajti në burgun e Shkodrës dhe nëpër kampe pune të detyruar.
Në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe 4 vjet më vonë, në vitin 1960 arratiset në Jugosllavi. Pas një viti, më 1961 shkon në Itali dhe më 1962 emigroi përfundimsiht në Shtetet e Bashkuara. Ai vazhdoi studimet e larta për frëngjisht duke marrë doktoraturën nga Universiteti i Qytetit të Nju Jorkut dhe Universiteti i Parisit. Ai pati një karrierë të gjatë si arsimtar dhe pedagog. Gjatë gjithë jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, Prof. Repishti pati një aktivizim të vazhdueshëm për çështjet e lidhura me shqiptarët. Në vitin 1996 ai themeloi Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe shërbeu si president i tij deri në vitin 1998.
Ai ka dëshmuar disa herë para Kongresit dhe ka përfaqësuar denjësisht komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit. Ai ka qenë prej kohësh udhëheqës i veprimtarive kulturore dhe politike të këtij komuniteti dhe ishte një anëtar i respektuar i tij. Prof. Repishti është autor i librave “Nën hijen e Rozafës”, në të cilin përshkruan vuajtjet e tij gjatë regjimit komunist si dhe “Pika Loti” kushtuar bashkëvuajtësve të tij në burg.