Vitet e fundit, Durrësi mban fronin e kryeqytetit shqiptar të turizmit dhe mund të flasim pa frikë për një qytet që vizitohet në çdo stinë të vitit.
Me kohështrirjen e sezonit turistik nga maji në nëntor dhe perspektivën për të zhvilluar turizmin gjithë vjetor qyteti 3000-vjeçar ka ngjallur kureshtjen e turistëve nga të 4 anët e botës.
Por si mund ta njohësh Durrësin në 3 ditë?
Guida e mëposhtme synon të kthehet në një udhërrëfyes për të huajt, që qëndrojnë në Durrës 2-3 ditë.
Dita 1
Pasi mbërrini në qytet përmes fluturimeve ajrore nga aeroporti i Rinasit, lundrimeve me traget apo akseve rrugore kombëtare, ndalesa e radhës është në hotelin që keni prenotuar.
Më pas jeni të lirë të vizitoni qytetin, qendra e të cilit shëtitet lehtësisht në këmbë, duke ndaluar në shumë nga sitet arkeologjike dhe historike si Kulla Veneciane, Muret Rrethuese, Amfiteatri më i madh në Ballkan, Forumi rrethor, Termat Romake, Hamami etj.
Drekën mund ta konsumoni në një nga restorantet e qytetit apo ato përgjatë vijës bregdetare dhe sipas preferencës mund të shijoni gatimet tradicionale shqiptare, kuzhinën italiane, prodhimet e freskëta të detit etj. Për të shoqëruar ushqimin ju rekomandojmë të degustoni verërat lokale, birrat shqiptare apo pijen tradicionale shqiptare, rakinë.
Pasdite mund të programoni një vizitë në vilën e ish-mbretit Zog, në Kodër Vilë. Vila mbretërore është hapur së fundmi për publikun, por ajo nuk i është nënshtruar rikonstruksionit duke mbartur kështu gjurmët e shkatërrimit të vitit të trishtë 1997.
E ndërtuar në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, në pikën më të lartë të kodrës, nga ajo mund të admironi qytetin, vijën bregdetare apo perëndimin e diellit.
Mbrëmjen mund ta kaloni duke darkuar në restorantet me muzikë live shqiptare apo duke kërcyer nën ritmet e hiteve më të fundit të rrymave të ndryshme muzikore në club-et buzë detit.
Dita 2
Një ditë e kaluar mes natyrës së bukur durrsake, në rrethinat e qytetit. Durrësi është i bekuar me një klimë mesdhetare, prandaj një vizitë në periferitë e tij do t’ju rezervonte një udhëtim mes gjelbërimit, ku mund të praktikoni edhe hiking.
Nëse jeni adhurues të aventurës një xhiro me motorë ATV do ju jepte mundësi të eksploroni mbi 4 rrota zonën e Kallmit, Sektorit Rinia apo Kepit të Rodonit. Turi në Kallm zgjat 90 minuta, në Sektor Rinia, zgjat 3-4 orë, ndërsa “full day tour” është Kepi i Rodonit.
Por nëse udhëtimi me motor nuk hyn në preferencat tuaja, mund të merrni një automjet me qira për të vizituar nga afër rrethinat e qytetit.
Zona e Ishmit, që përfaqëson edhe njësinë më të largët administrative të bashkisë Durrës, ofron përveç bukurive natyrore edhe shumë monumente të kulturës si kalaja e Rodonit, e rrethuar nga deti dhe një peisazh natyror magjepës, kisha e ShnaNdout, që ka një arkitekturë romaniko-gotike të shekullit XIII, apo kalanë e Ishmit, e ndërtuar në shekullin XVI.
Pas orësh të kaluara në natyrë, përmbyllja më e bukur e ditës do të ishte një darkë në agroturizmat e Durrësit, ku do mund të shijoni gatimet më të mira tradicionale shqiptare dhe ushqime bio.
Shumë prej tyre, kryesisht në fundjavë ofrojnë mbrëmje me muzikë live.
Dita 3
Nuk mund të ikni nga Durrësi pa kaluar një ditë në plazh. Moti i ngrohtë krijon mundësinë që banjot e diellit dhe larja në det të praktikohen që nga maji e deri në fund të nëntorit.
Me 64 km vijë bregdetare dhe një ndërthurje mes plazheve ranore të cekëta ose atyre me gurë apo shkëmborë, Durrësi ofron 1001 mundësi për një pushim të bukur në bregdet.
Nëse preferoni plazhet shumë të populluara, zona e Plazhit të Madh, Shkëmbit të Kavajës apo Gjirit të Lalzit bën për ju.
Por nëse në vend të masivitetit preferoni qetësinë, plazhin e virgjër dhe gjiret pak të shkelura duhet të planifikoni një ditë të kaluar në Kallm, Porto Romano apo Kepin e Rodonit.
Nëse i drejtoheni plazheve të virgjëra, sigurohuni të merrni ushqime apo pije me vete.
Në fund të kësaj dite, udhëtimit tuaj i erdhi fundi dhe përgatiteni të largoheni nga qyteti.
Urojmë që Durrësi t’ju ketë pëlqyer dhe si shumë të tjerë të riktheheni për ta vizituar në të ardhmen.