Gazetari i njohur i rubrikës rozë në Itali, Fabricio Korona, ka lëshuar akuza shumë të rënda ndaj Teo Hernandez, duke konfirmuar se ishte pikërisht futbollisti i Milanit personazhi i panjohur për të cilin kishin qarkulluar zëra se në gjendje të dehur kishte goditur me grushte një vajzë në një lokal.
Prezantuesi italian Masimo Xhileti, pak ditë më parë lëshoi “bombën”, duke thënë se kishte parë një video të një ngjarje shqetësuese. “Unë pashë një lojtar shumë të njohur nga një prej dy skuadrave të Milanos, i cili goditi në mënyrë të dhunshme një vajzë. Kjo vajzë përfundoi në tavolinë, e çuan përsëri dhe lojtari, në gjendje të dukshme të dehur, e godet përsëri, mundohet ta gjuajë përsëri me grusht. Pas saj, ka pamje të tjera ku i njëjti lojtar theu një mur dhe bën gjëra të tjera”, tha Xhileti i cili me sa duket kishte parë këtë video nga Korona.
Ky i fundit konfirmoi sot pikërisht emrin e Teo Hernandez për një ngjarje që mendohet se i përket janarit të vitit 2024. “Emri që po prisnit të gjithë është ai i Teo Hernandez, lojtar i Milanit dhe përfaqësueses franceze. Do të tregojmë me detaj natën e tij me eksese në një lokal të njohur milanez. Një histori e cila përveçse dëshmon një furi të pajustifikuar, tregon një anë të fshehtë të jetës së lojtarëve, e përbërë nga leja për ta tepruar dhe mbrojtje nga klubet e tyre, të gatshëm të fshehin gjithçka edhe kur në mes është një grua e dhunuar”, shkruante Korona në postimin në rrjetet sociale ku publikon pjesë të imazheve të videos së sigurisë së lokalit ku ka ndodhur ngjarja.
Ishte pikërisht Fabricio Korona ai i cili bëri të lindte hetimi për lojtarët italianë të cilët luanin baste në mënyrë të paligjshme, duke zbuluar emra si Tonali apo Faxholi.