Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas sulmeve të fundit në infrastrukturën jetike të vendit, ka anuluar vizitën e saj shtetërore në Brunei. Sipas planifikimeve të mëparshme presidentja pritej të udhëtonte sot në mëngjes për Brunei.
Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
“Ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t’u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga presidenca.
Shpërthimi më i fundit ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ku si pasojë ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.