Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla kanë dalë në konferencë për mediat pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit. Hoxha theksoi në fjalën e tij se “po synohet destabilizimi i rajonit”, ndërsa Sveçla u shpreh se ka dyshime të forta që pas këtij sulmi qëndrojnë autoritetet serbe. Ai deklaroi se është sekuestruar një arsenal armësh dhe eksplozivi, i cili sipas tij është thuajse i pamundur të gjendet edhe në tregun ilegal.

“Institucionet atakohen në vazhdimësi, cenohen nga elemente terroriste përfshirë edhe thirrjet për sulm ndaj policisë së Kosovës apo pajisjeve që përdorin. Një pjesë e këtij kufiri është vështirë e kontrollueshme, por duhen sa më shumë pajisje e uniforma në mënyrë që në një moment të caktuar të ketë rezistencë të organizuar, siç ishte në Banjskë. Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që është thuajse i pamundur të gjendet. Në rastet e mëhershme ne kemi dëshmuar se pajisjet e përdorura kanë dalë në rrugë zyrtare nga kazermat e ushtrisë së Serbisë, do e vërtetojmë që edhe ky kontigjen ka të njëjtën adresë.”

Ministri shtoi se para drejtësisë do të vihen jo vetëm ata që kanë vendosur eksplozivin, por edhe ata që e kanë urdhëruar.

“Gjendja në 4 komunat në veri asnjëherë s’ka qenë më e mirë, por kjo nuk do të thotë se sulmet terroriste nuk do të ndodhin. Do të ketë hetime jo vetëm për ata që e kanë shkaktuar këtë sulm terrorist, por edhe si ka ardhur ky sulm. Dua të falenderoj të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që në rrethana të rrezikshme për jetën e tyre, por kryejnë detyrën ndaj qytetarëve dhe shtetit në maksimum.”

I pyetur se a është një pronar mediash në mesin e 8 të arrestuarve për rastin, ai u përgjigj kështu:

 “Nuk mund të deklarohem në këtë moment, është çështje e hetuesisë për të përcaktuar se çfarë kanë bërë. Unë nuk kam informacion në asnjë rast. Lirisht ju garantoj se mediat nuk janë target i institucioneve të Kosovës, nëse është arrestuar atëherë i bie që potencialisht është i përfshirë në veprat kriminale.”

Në mbyllje, Sveçla tha se eksplozivi është vendosur në shtratin e kanalit që është rreth 50 km i gjatë, e për këtë të fundit do kryhet monitorim më efikas.