Bashkitë e Libohovës, Finiqit dhe Pustecit janë 3 bashki të cilat rrezikojnë të zhduken në hartën e ndarjes administrative për shkak të lindjeve shumë të ulëta.
Referuar të dhënave të Censit 2023, në bashkinë Libohovë numërohen 312 fëmijë të grupmoshës 0-4 vjeç, në Finiq 410 fëmijë të kësaj grupmoshe dhe në bashkinë Pustec numërohen vetëm 152 fëmijë të grupmoshës 0-4 vjeç.
Ajo që bie në sy është fakti se bashkitë me më pak lindje janë kryesisht zonat rurale të jugut.
Në njësitë administrative të Frashërit të Përmetit dhe Voskopojës, në çdo 100 banorë ka më pak se 2 fëmijë të grupmoshës 0-14 vjeç.
Ndërsa në rang vendi, qarqet me më pak lindje janë Gjirokastra, Berati, Lezha dhe Kukësi.
Ulja e numrit të lindjeve po reflektohet dhe në plakjen e popullsisë në Shqipëri.
Sipas ekspertëve, ky fakt ka nxjerrë nevojën e adresimit të politikave drejt moshës së tretë.