Nga Shpëtim KODRA      

  O. Uajlld: ”Kujtesa është ditari që secili nga ne e mban gjithnjë me vete”. Librat e kujtesës, siç është edhe libri i M.Rakipajt, kontribuojnë në zbulimin e të vërtetave që nuk duhen harruar. Librin e hap emri i O.Mandelshtamit, poetit antikonformist rus, i cili më 1934 u dënua për poezinë “Ujk” e më 1938 u ridënua për poezinë “Para arrestimit”, ku akuzon hapur Stalinin, “malokun e Kremlinit”. Po atë vit i erdhi vdekja “e papritur”. Në libër trajtohet një problematikë e gjerë. Po veçoj disa aspekte interesante të asaj problematike.

1. Jeta në det dhe pranë detit.   Autori (shkrimtar e përkthyes i njohur), lindi në Vlorë. Jetoi në Sazan e në Durrës. Udhëtoi në detra. Të bukurën e sheh që shfaqet në detin plot reflekse të argjendta. Ndërsa e madhërishmja spikat në paralelizmin figurativ: deti me dallgë të forta e stuhi –detarët kurajozë, që luftuan për të shpëtuar anijen “Tomori”. Por pagëzimi me detin qe i dhimbshëm, tragjik për 22- vjeçarin Ilir Koçilja, që humbi jetën.

  Ndihet respekti e mirënjohja e sinqertë për mjaft shokë e pedagogë të shkollës së marinës, por edhe për detarë të anijeve ku punoi. Praktika në anijen “Partizani”. Më pas puna në anijen “Durrësi”. Dhe, pas kalvarit të kaluar në privim lirie, rikthimi në det, si kapiteni i fundit i anijes “Vlora”- krenaria e flotës sonë detare, që donin ta shisnin për 5 lek. Kapiteni e riktheu në Durrës, por gjatë eksodit të dhimbshëm anija përfundoi në gjirin e Ambrakisë.

2. Arrestimi. Hetimi. Jeta në burg. Revoltat.    Mandelshtam:”Detin, kur ma hoqët |e kur në tokë me pranga më lidhët, | çfarë fituat? Prapseprap gojën s’ma mbyllët!” Arrestimi –një tmerr, pikënisje e një jete të rrënuar. Hetuesit –njerëz të zhveshur nga idealet humane. Hetuesi:”Në gjyq do të jesh me kostumin, që do të të qepim ne.” Në 6 muaj hetuesi u ndërruan 3-4 hetues. Akuza e shpikur: një grup agjentësh të NATO –s, që tentonin të arratiseshin me anijen “Durrësi” e të rekrutuar nga Franko –ja, një agjent i UDB –së. Kryetar grupi Maksim Rakipaj, me gjyshin kulak, me dy xhaxhallarë të dënuar dhe babain të përjashtuar nga Partia. Dënimi: 15 vjet heqje lirie.

   Në burg dëgjoje dhe për akuza nga më absurdet, madje tragjikomike. Ishin burgosur antisovjetikët para  1961 –it, por edhe prosovjetikët pas  1961 –it. Hasan Kukali, i dënuar 10 vjet se shante Enver Hoxhën te ne, ndërsa xhaxhai i tij burgosej në Kosovë, se e lëvdonte E.Hoxhën. Engjëll Fidani e Vait Lamaj dënoheshin si të dyshuar për atentat ndaj diktatorit. Ndërsa Beqir Valteri  kish plagosur  A.Zogun dhe ish falur, por do të dënohej në kohën e E.Hoxhës.

  Autori vijon rrëfimin: “ Në kampin e Ballshit na brente kockat lagështia e na dërgonte në varrezën e Panahorit  uria. Kish edhe të verbër e të sakatosur, si ai që desh të arratisej.”

Në Spaç. Korrik 1979. E habitshme sa shpejt njihesh e miqësohesh në burg! Menjëherë krijon respekt për njerëz të rrallë si: A.Hamiti, A.Kolgjini, V.Zhiti, J.Marko, dr. B.Çeta, Peshkëpia, Morava, Kau, Laze…Po ashtu për njerëzit e fortë të galerive si: S.Sokoli, B.Blloshmi, F.Hyka, T.Ndoja…Unë mezi bëja normën ditore. Shokët –shembuj të denjë për t’u ndjekur. Një mbështetje e fuqishme morale për mua ishte dhe familja, që nuk m’u nda e ma sillte Hiqmet Mullaj. Nuk ishte e lehtë të mbeteshe njeri. U kalita  në Spaç, në “akademinë e qëndresës antikomuniste.” Mësova se një burrë, kur nuk i shmanget dot vdekjes, nuk i trembet asaj, por e sheh drejt e në fytyrë. Ashtu ai përballon edhe figurat negative e të urryera, si Prifti, Toska, Shehu, Çuçi, Spiro, apo Pala, kur nuk pranon të bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit e as nuk u kërkon falje.

  Vdekja ishte fare pranë në Spaç. Temperatura mbi 40 gradë.  Acidi përvëlues pikonte nga tavani Shpëtova për mrekulli, kur po hapja bira të thella 4 m.  Ilmiun nga Erseka dhe Dilaverin nga Vlora, si dhe Nushin nga Shkodra, i zu galeria. Norma ishte 8 vagona e secili prej tyre kishte 2 ton mineral. Bashkëjetuam me vdekjen vite me radhë, pa humbur dashurinë për jetën. Birucat ishin të tmerrshme.  H.Myzyri qëndroi 8 muaj në birucë, ndërsa A.Togu 11 muaj. Njeriu pajtohet me fatin e keq, duke  duruar mundimet, poshtërimet, derisa i arrin thika në kockë. Atëherë e kupton se nuk je vetëm. Sytë erren, duart bëhen grusht kundër torturave.

  Të dyja revoltat, në Spaç e në Qaf Bar, kanë lindur nga rrahjet e policëve. Shteti i dhunës vjen me helikopterë e mitroloza. Plumbat që u morën jetën trimave, i ndjemë edhe në trupat tanë. Në Spaç (27 maj 1973) u pushkatuan  P.Zefi, S.Daja, D.Bejko, H.Pashaj. Në Qaf Bar (22 maj 1984): S.Sokoli, T.Ndoja. Akte sublime e të madhërishme të heroizmit përballë sadizmit. Martirë, shpirtra titanësh, që duhet të zenë vendin e merituar në histori; në tekstet shkollore, në monumente, në një muze të terrorit komunist, ku para tyre të vihen  fotot e piramidës kriminale.

3. Histori të dhimbshme të të burgosurve. Kujtesë e dhimbjes, apo harresë e mbulim i krimit?  Fatet personale përbëjnë kujtesën kolektive. Në vlerësimin e të burgosurve autori niset nga karakteri e jo nga bindjet. Kemi një seri regresionesh. Nuro Hoti në Goli Otok. Pajazit Jashari nga Podujeva 5 km. not drejt Italisë. Djali që desh të arratisej në Gjermani për te xhaxhai. Ndoc Naraçi që desh të arratisej për në Rusi, te gruaja. A.R i diplomuar në Sorbonë, i mashtruar, i arrestuar. Gripshi 11- vjeçar u largua me gjermanët. Riatdhesohet e merr 15 vjet burg. Vëllezërit Spahia arratisen. Kthehen. 10 vjet burg. Dy vlonjatë kthehen nga Suedia. Njeri merr 12 e tjetri 15 vjet burg. Dhimitri fanolist. Shkoi në Kubë, ku takoi F.Kastron. U kthye në Shqipëri. U dënua.    

4. Humanizmi i kafshëve dhe kafshëria e njerëzve.     Mbetet mister lidhja e fuqishme që krijojnë kafshët me njerëzit dhe në veçanti me të burgosurit. Kujtimet për kafshët janë të bukura e të dhimbshme. Kush nuk u përlot për Tartin, qenin që u pushkatua me 4 heronjtë e Spaçit? Kuqon e dënuan me varje. Pushkatuan Çapin që gëlltiti letrën e nuk ia dha polic Aliut. Lejleku i kripores së Vlorës shoqëronte në orët fikse të burgosurit. Kafshët ndoshta e ndiejnë instinktivisht që i burgosuri ka shumë dashuri për të dhënë, edhe pse atij i japin aq shumë urrejtje. Të burgosurit politikë rrezatojnë nevojën për dashurinë që u mohohet.

5. Ndikimi i intelektualëve të njohur, të burgosur, lidhur me gjykimin objektiv të ngjarjeve e të protagonistëve të historisë sonë.       Përmes detajeve konkrete jepen gjykime lakonike. Figurën e Ahmet Zogut, personalitetin e tij kompleks, autori nuk e sheh me urrejtjen e ushqyer për dhjetra vite,  që në shkollë, por as me adhurim. E sheh me respektin për krijuesin dhe mbrojtësin efektiv dhe aktiv të shtetit modern shqiptar, i cili u përpoq të manovronte në kohë të turbullta, edhe i rrethuar nga armiq e tradhtarë. Për Enver Hoxhën autori thotë se duhen zbardhur dosjet e UDB, CIA, KGB e Inteligence Service, për të kuptuar se kujt i shërbente, veç  jo Shqipërisë.

  Salë Krypa mallkonte të atin, që kish sjellë me anije Ali Kelmendin, me librat  marksistë  më 1930, i    dërguar nga Kominterni (Shtabi i Revolucionit Botëror). Koço Tashko rrëfen  për Miladinin, kryetarin e pashpallur të PKSH dhe shkronjësin E.Hoxha, që ia përkthente letrat. Pashku, ish komandant qarku, i kish rrëfyer N.Dakës që Pater Anton Harapi nuk i kish goditur komunistët, pasi i konsideronte vëllezër gjaku, ndërsa për gjermanët e dinte se ishin në ikje. Hipokrizia, demagogjia, mashtrimi ishin kthyer në sistem në komunizëm. Kush thonte të vërtetën për realitetin e zymtë, atëherë kur mungonin të gjitha liritë e të drejtat njerëzore, burgosej, internohej ose pushkatohej. Më 1978 “Zëri i popullit” shkruante një të vërtetë:”Spanja, me 40 milion banorë i liroi të gjithë të burgosurit politikë”. Për Shqipërinë me 2500 të burgosur s’flitej.

6. Letërsia. Përkthimet.       Letërsia, si  ngushëllim, kurajë e përsosje morale, mbetej një sfidë në egërsinë dhe torturat e burgut, apo të kampit diktatorial. N.Daka fliste për shkrimtarin, filozofin, gjuhëtarin Arshi Pipa, të burgosur në  vitet 1944 – 1956 e më pas të arratisur në SHBA. Kish botuar në Romë “Librin e burgut”.  A.Kolgjini kish shkruar poezinë “Ti s’e njohe”.  Ndikimi i poezisë së të burgosurve Zhiti e Z.Morava. Ndikimi nga poezia përparimtare italiane, angleze etj. M.Rakipaj:”Përkthimin tim të poezisë “Invictus” (I pamposhturi) e kanë mësuar përmendësh të burgosurit. Recitimi i saj, sa herë  hyjmë në galeri, na jep forcë, na nxit qëndresë:”Në këtë ferr, ku rashë për dreq,|s’u lebetita, qëndrova burrë”.

  Domethënës dhe përkthimi i “Prometeut të çliruar” të Shelit. Te “Klithmë zemërimi”  Aleko Panagoulis  shkruan:”Ju më pak se shtazë jeni,|justifikues   të çdo tiranie”. Ndërsa R.Tagore te  “Liria” shprehet: ”çlirimi prej frikës është liria,|që për Ty kërkoj, Atdheu im!” M.Rakipaj:”Ashtu, të sfilitur pas pune e të kequshqyer, lexonim  e përkthenim. Pas mbarimit të turnit, jepja kursin e anglishtes për të burgosurit e të eturit për liri.

7. Demokracia totalitare. Alienët e kuq.     Autori shkruan:” Më 20 shkurt 1991 miting para PTT Durrës, organizuar nga Sindikata, PD e PR. Thirrja ime atë ditë të paharruar ishte:”Te Porti! Të rrëzojmë Dullën!” Në kryesinë e PD nuk kish të burgosur politikë. E kaluara dhembje, e sotmja zhgënjim. AGBV (Anëtarë të grupeve të bashkimit vullnetar)ishin mjaft aktivë në demonstrata. Ulërinin para policëve dhe zhdukeshin, sapo fillonte përleshja. Një i ri mbeti i vrarë.

  Prisnim hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit e të diktatorit Hoxha, por më kot. SHOAH –Dita përkujtimore e viktimave të nazizmit. MOSADI –Shërbimi sekret izraelit është ende aktiv kundër individëve përgjegjës për krimet. Te ne nuk ka SHOAH. Alienët e kuq  kishin llogaritur gjithçka në Katovicë dhe planin e punës ia dhanë R.Alisë. Hetuesi im u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtari që dënoi A.Togun, u bë Avokat i Popullit. S’ka drejtësi e pajtim social, pa u dënuar democidi dhe krimet e komunizmit. Krimi i pandëshkuar –krim që vazhdon. Komunistët jane kthyer në kapitalistë. Janë ricikluar personazhe e mendësi diktatoriale në politikë, në drejtësi, në ekonomi e në diplomaci. Vetëm eksperimente me ne. Përgjigjja ime Tanjës nga Beogradi, që erdhi me specialistët juristë për të drejtat e njeriut.

8. Arvanitët dhe pretendimet shoviniste për Vorio Epirin. Marrëdhëniet me detarët grekë.     Thanasi dhe kapiteni i tij Jorgua nuk flasin shqip. Janë arvanitë, por kanë frikë se i heqin nga puna. Arvanitasi gjakprishur Andrea e quante Përmetin Vorio Epir. I dhashë një mësim gjeografie dhe historie për  kufijtë natyralë të Shqipërisë dhe për heronjtë e pavarësisë të Greqisë.  Ilia fliste greqisht e thosh se presidenti i parë Kapodhistrias ishte grek. Për shqiptarët autoktonë në Greqi përdorimi i gjuhës shqipe përbën një sakrilegj të vërtetë. Gjuha greke – mjeti kryesor i vrasjes së shqipes dhe i kombësisë shqiptare atje.

  Realiteti i vjetër historik i vendos grekët poshtë Epirit, përtej gjirit të Ambrakisë. Në gjysmën II të sh.XIV princi shqiptar e kish shpallur Artën, kryeqendër të principatës shqiptare. Ai ish shquar në luftën kundër hegjemonizmit sllav e grek.  Deri më 1880 në Athinë e në Megara flitej shqip. Hahn:”Revolucioni grek dhe çlirimi i Greqisë nuk mund të realizoheshin pa kontributin e shqiptarëve”.Kryetari i parë i Greqisë ka qenë konti shqiptar Joani Kapodistria, nga një familje gjirokastrite. Marko Boçari ishte shqiptar ortodoks nga Suli, malësia e Çamërisë. Në kontrast me qëndrimet ultra nacionaliste e shoviniste vorioepirote, në Kalabri e Siçili, ku ka komunitete arbëreshe tabelat janë dygjuhëshe. Ka shkolla e universitete në gjuhën shqipe.

  Memuaristika, ku bën pjesë dhe libri i Maksim Rakipajt, duke sjellë dëshmi të gjalla të një sistemi tejet mizor, përbën një sfidë ndaj indiferencës, apo përligjies së diktaturës komuniste, vepër e dënueshme, në bazë të rezolutave të BE, ku aspirojmë të bëhemi pjesë e ku vende të tjera të ish Lindjes komuniste janë anëtarësuar me kohë.