Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri sërish thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të vendosin sanksione ndaj të ashtuquajturës ‘flotë hije’ të Rusisë që po transporton ilegalisht naftën ruse duke anashkaluar sanksionet.
Zelensky komentoi derdhjen e naftës të shkaktuar nga një cisternë nafte ruse në Detin e Zi të dielën, duke e quajtur atë një “katastrofë mjedisore”.
“Por ka cisterna ruse edhe më të mëdha dhe më të rrezikshme që kalojnë detet tona. Ndalimi i kësaj flote nuk ka për qëllim vetëm ndërprerjen e financimit të luftës, ka për qëllim mbrojtjen e natyrës”, theksoi ai në një postim në platformën X.
Cisternat mbanin 9,200 tonë metrikë (62,000 fuçi) produkte nafte, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS. Për momentin, sasia e naftës që ka rrjedhur në det nuk është specifikuar, por mund të jetë një nga fatkeqësitë më të mëdha mjedisore që kanë goditur rajonin vitet e fundit.
Ndërkohë, Britania njoftoi sot se po vendos sanksione ndaj 20 anijeve që anashkalojnë ilegalisht sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, një nga masat e fundit të ndërmarra nga Londra kundër flotës ruse në hije.