Ky është momenti kur komandant i trupave të mbrojtjes së Rusisë nga sulmet kimike, bakterologjike dhe bërthamore, Igor Kirillov dhe shoqëruesi i tij vriten me anë të një shpërthimi me eksploziv.

Siç shihet edhe në pamje shpërthimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit sapo Kirilov dhe shoqëruesi i tij dalin nga pallati dhe i drejohen makinës së tyre.

57-vjeçari me gradë Gjeneral Lejtnant u vra nga shpërthimi i një sasie prej 300 gramë eksploziv të vendosur në një skuter elektrik. Mjeti ndodhej poshtë banesës së tij në juglindje të kryeqytetit dhe shpërtheu sapo ai doli nga pallati. Bashkë me të, shpërthimi vrau edhe asistentin.

Hetuesit në Moskë thanë se bëhej fjalë për një akt terrorist, duke bërë përgjegjëse Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë.

Zbulimi ukrainas pranoi për media të ndryshme ndërkombëtare, autorësinë e atentatit. Kievi e akuzon atë si përgjegjës për përdorimin e armëve të ndaluara kimike në sulmet e ushtrisë ruse në Ukrainë. 

Kirillovi ka qenë në listën e të sanksionuarve nga Britania e Madhe, pasi akuzohet si një prej organizatorëve të helmimit me lëndën e rrezikshme kimike Noviçok në vitin 2018 në Angli, të ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe të bijës Julia.