Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu i brendshëm valutor rreth 270.5 milionë euro, me synim kryesor stabilizimin e kursit të këmbimit, por jo vetëm.

Me qëllim rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë ka realizuar 6 ankande për blerjen e valutës, ku dy prej tyre kanë qenë me opsionin “forward”, pra përmes një marrëveshjeje paraprake për blerjen e euros në një datë të ardhshme dhe me një kurs këmbimi të përcaktuar që në momentin e arritjes së kësaj marrëveshjeje.

Përmes ankandeve të zhvilluara gjatë tremujorit të tretë rezulton të jenë blerë 94.40 milionë euro. Mesatarja e blerë në ankandet e këtij tremujori ka rezultuar në vlerën 15.70 milionë euro, me një përmirësim krahasuar me 14.50 milionë euro në shtatë ankandet e zhvilluara në tremujorin e kaluar.

Krahas blerjeve me ankand, me anë të ndërhyrjeve në tregun valutor, në përmbushje të objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar, janë blerë 176.10 milionë euro.

Gjatë tremujorit të tretë, kursi i këmbimit është shoqëruar sërish me luhatje, ku gjatë muajit shtator euro ka pësuar rënien më të madhe në raport me lekun duke u këmbyer me 98.77 lekë në 30 shtator. Duke ndërhyrë në tregun valutor, Banka e Shqipërisë është përpjekur që të zbusë luhatjet e kursit të këmbimit. Këto blerje rrisin ofertën e lekut në treg dhe ulin vlerën e tij duke stabilizuar kursin e këmbimit.

Nga ana tjetër, në periudhën janar-mars janë blerë gjithsej 32.60 milionë euro, ndërsa në prill-qershor rreth 101.60 milionë euro. Në nëntë muaj, Banka e Shqipërisë ka tërhequr mbi 542 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Ndërkohë, gjatë vitit 2025 parashikohet të blihen përmes ankandeve rreth 270-350 milionë euro, 20 milionë euro më shumë se viti aktual ku blerjet vjetore planifikoheshin në 250-330 milionë euro.