Këshilli i Lartë i Sporteve (CSD) i ka dhënë katalanasve një masë paraprake për të regjistruar, Dani Olmo dhe Pau Victor, të paktën për momentin.

Kjo do të thotë që, sapo CSD të zyrtarizojë vendimin e saj, të dy lojtarët do të regjistrohen sërish në La Liga dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Hansi Flick.

Ky vendim nuk do të thotë se lojtarët do të mund të luajnë në ndeshjen kundër Athletic Bilbao mbrëmjen e sotme në Superkupën e Spanjës që po luhet në Riyadh. Megjithatë, sipas asaj që ka mësuar ‘El Larguero’, nuk përjashtohet mundësia që të dy të marrin pjesë në finalen e turneut nëse blaugranasit kualifikohen.

Kjo masë paraprake nuk do të thotë që lojtarët kanë OK përfundimtar për të luajtur pjesën e mbetur të sezonit nën Hansi Flick. Kjo do të thotë që CSD, për momentin, ka pranuar se pretendimet e FC Barcelona kanë një bazë ligjore.

Sipas tyre dokumenti prej 52 faqesh që klubi paraqiti të martën ka argumente të mjaftueshme për tu rikthyer licencat lojtarëve, të cilën do vazhdojnë të luajnë normalisht me ekipin.

Pas shpalljes së masës paraprake, shërbimet ligjore të CSD kanë një afat tre-mujor për të hetuar në detaje rastin dhe për të dhënë një vendim përfundimtar.