Kontributi i eksporteve në Prodhimin e Brendshëm Bruto po bie, ndërsa ai i importeve po rritet.

Sipas matjes së PBB-se me metodën e shpenzimeve, ndikimi i eksporteve të mallrave në rritjen ekonomike ishte negativ me -4.4 % në tremujorin e tretë 2024.

Kontributi i eksporteve në rritjen ekonomike ishte negativ që nga tremujori i parë i vitit 2023, ku njësitë e prodhimit në vend nuk po mundeshin më të transferonin humbjet që vinin nga kursi i këmbimit.

Në anën tjetër, kontributi i importeve shënoi rritje. Rënia e kapaciteteve prodhuese në njërën anë dhe rritja e numrit të vizitorëve të huaj kanë shtuar nevojën për mallra importi. Ndikimi i importit të mallrave në rritjen ekonomike ishte +9.8% në tremujorin e tretë të 2024, krahasuar me të  njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm, eksportet e mallrave kanë ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike që nga tremujori i tretë i vitit 2020 deri në tremujorin e parë 2023, kur ato nisën rënien dhe e ndikuan negativisht ekonominë e vendit.

Në 11- mujorin 2024, eksportet e mallrave arritën vlerën 347 mld lekë, duke u ulur me -13,9 % krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 816 mld lekë, duke u rritur me 2,0%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 469 mld lekë, duke u rritur me 18,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Forcimi i Lekut ndaj Euros i kombinuar me disa faktorë të tjerë si rritja e pagës minimale dhe rënia e kërkesës nga jashtë ka dëmtuar rëndë eksportet dy vitet e fundit.

Rënia me rreth 18% e këmbimit të Lekut me Euron ndërmjet 2021 dhe 2023 po i bën  mallrat dhe shërbimet shqiptare më të shtrenjta për blerësit e huaj. Kjo ul kërkesën për eksportet shqiptare në tregjet ndërkombëtare, duke i bërë ato më pak konkurruese në raport me vendet e tjera.

Eksportuesit që marrin pagesa në Euro, por kanë shpenzime në Lek po humbin të ardhurat sistematikisht kur konvertojnë euron në lekë. Kjo përveçse ka ndikuar negativisht në marzhin e tyre të fitimit po ul investimet dhe po çon në uljen e prodhimit.

Industria e tekstileve dhe e këpucëve, e cila punon për eksport, po humbet më shumë nga kursit i këmbimit.

Nga ana tjetër importet po favorizohen nga forcimi i lekut, pasi mallrat nga jashtë bëhen më të lira. Rënia e çmimeve të importit po dëmton prodhuesit vendas, të cilët po përballen me konkurrencë më të ashpër nga produktet e importuara më të lira.

Për shkak të uljes së çmimit të mallrave të importuara, konsumatorët dhe bizneset po mbështeten më shumë te mallrat e huaja, duke krijuar një efekt zinxhir në dobësimin e industrinë vendase.

Forcimi i Lekut po ul koston e importeve, duke dekurajuar investimet në sektorë prodhues dhe të çojë në varësi afatgjatë nga importet.

Vitet e fundit, prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku kombinimi i shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën. Fabrikat më të vogla po falimentojnë dhe shumë të tjera kanë ndryshuar strategjitë duke u përshtatur me situatën e re.

Teksa kostot e prodhimit në Shqipëri ndryshuan nga rritja e pagës minimale dhe rënia e Euros, klientët historikë të Shqipërisë po zhvendosen në vende të tjera ku ka kosto më të lira prodhimi. /Monitor