Numri i martesave gjatë vitit të kaluar shënoi rënie drastike për shkak të pandemisë.
Sipas të dhënave të INSTAT vitin e kaluar në të gjithë vendin u realizuan rreth 17 mijë e 500 martesa sipas të dhënave nga zyrtare që janë marrë nga Gjendja Civile me një rënie rreth 22 për qind në raport me vitin 2019. Shumë martesa u shtynë në kohë për shkak të masave kufizuese dhe ndalimit të grumbullimeve, pasi ceremonitë nuk mund të realizoheshin.
Numri mesatar i martesave në vend në një vit normal është 22-23 mijë, por gjatë viteve në vijim kjo normë do të vije në ulje edhe për shkak të uljes së popullatës së re në moshë.
Tek gratë rreth 50 % e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç, dhe deri në moshën 29 vjeç janë kryer 78 % e tyre. Kjo shpjegon dhe moshën relativisht të re (krahasuar me burrat) në martesë për gratë e cila është 27,7 vjeç.
Për burrat 52 % e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç, dhe 81 % e martesave deri në moshën 34 vjeç. Mosha mesatare e martesës për burrat është 31,1 vjeç.
Norma e martesave të grave sipas grup-moshave ndër vite tregon se ka një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç. Kjo shpjegon dhe rritjen e moshës mesatare në martesë të vajzave.
Numri i vajzave të martuara para moshës 18 vjeç gjatë vitit 2020 është 16. Ky numër është ulur në krahasim me një vit më parë, kur u regjistruan 20 martesa të vajzave nën 18 vjeç. Përqindja e vajzave të martuara në moshat 15 deri 17 vjeç është shumë e ulët, ndërsa shënon vlerat më të larta në moshën 18 dhe 19 vjeç, përkatësisht 6,4 % dhe 5,5 %. Ndërsa djemtë nuk kanë martesa para moshës 18 vjeç dhe përqindja e djemve të martuar në moshën 18-19 vjeç është nën 1%.
Shqiptaret mbeten ende tradicionale sa i përket martesës si institucion. Martesa mbetet një episod i rëndësishëm në jetë dhe në shumë raste ceremonitë marrin një pjesë të konsiderueshme të jetës që qiftit.
Në vitin 2018 Shqipëri ishte vendi me numrin më të lartë të martesave në Europe për 1000 persona. Në vitin 2018, për çdo 1000 persona që jetojnë në Shqipëri, u lidhën 8.1 martesa. Së bashku me martesat që janë lidhur nga shqiptarët e Kosovës, thyejnë rekordin në Europë dhe rajon për numrin më të lartë të tyre.
Sipas Eurostat, në Kosovë u lidhën 9.6 martesa për çdo 1000 banorë, thuajse dyfishi i martesave që janë lidhur në të gjithë Bashkimin Europian. Eurostat raporton se në vitin 2018, kishte 4.4 martesa për 1000 banorë.
Në vitin 2018, vendet e Bashkimit Europian me numrin më të madh të martesave në raport me popullsinë ishin Qipro (7.8 martesa për 1 000 banorë), Rumania (7.4), Lituania (7.0) dhe Letonia (6.8). Këto ndiqen nga Malta (5.8), Sllovakia (5.7) dhe Danimarka (5.6).
Nga ana tjetër, vendet me nivelin më të ulët të martesave ishin rreth 3 martesa për 1 000 banorë, të cilat u raportuan në Luksemburg (3.1), itali (3.2) dhe Portugali (3.4), pasuar nga Spanja, Franca (të dhënat e vitit 2017) dhe Sllovenia (të gjithë 3.5). /Monitor