Policia ka vënë në pranga Gleard Gushollin, pasi u kap duke shpërndarë drogë, ndërkohë që ishte me masë sigurie arrest në shtëpi. Gusholli është një emër i njohur për policinë. Një vit më parë, ai mbajti peng në banesë, bashkëjetuesen e tij. Pasi e dhunoi për të paktën një javë rresht, e reja në atë kohë ia doli të njoftonte familjarët dhe policinë.
Për këtë ngjarje Gusholli doli nga qelia me masën e sigurisë arrest shtëpie. Por pavarësisht masës së sigurisë ai, vijoji aktivitetin kriminal duke shpërndarë lëndë narkotike në kryeqytet.
Një natë më parë, nga ana e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë, mbi bazën e të dhënave të grumbulluara në rrugë operative për kapjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike të llojit kokainë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Blloku 21” ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i Gliard Gusholli dhe Frenkli Permarkaj.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 4 qese me lëndë të dyshuar kokainë me peshë të përgjithshem 23 gram, 2 aparate celularë, 1 automjet i tipit Mercedez Benz. Tashmë Gleard Gusholli duhet të përballet me ligjin edhe për dy vepra të tjera penale. Atë të “largimit nga banesa” apo thyerjen e arrestit shtëpiak dhe prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.





