Lajmet që vijnë nga mediat ndërkombëtare për shëndetin e Papa Françeskut janë shqetësuese. Dy burime për “Politico” kanë thënë se Papa po vuan nga dhimbje të forta dhe privatisht është shprehur i sigurt se këtë herë nuk do t’ia dalë.
Papa 88-vjeçar po trajtohet në një repart të posaçëm të spitalit Gemelli në Romë, pasi u diagnostikua me infeksion respirator. Ai ka anuluar aktivitetet që kishte në agjendë duke ndjekur me përpikmëri udhëzimet e mjekëve.
Sipas Politico, kreu i Kishës Katolike refuzoi fillimisht të shkonte në spital, por u detyrua të pranonte pasi i vunë në dukje se rrezikonte nëse qëndronte në dhomën e tij në Vatikan.
Duke kuptuar se shëndeti i tij po përkeqësohej, Papa përfundoi disa lëvizje të rëndësishme dhe vendosi peshkopë të aftë në disa pozicione kyçe.
“Më 6 shkurt, para se të shtrohej në spital, ai zgjati mandatin e kardinalit italian Giovanni Battista Re si dekan i Kolegjit të Kardinalëve, një rol që do të mbikëqyrë disa përgatitje për një konklavë të mundshme, mbledhjen e fshehtë që përcakton zgjedhjen e një Pape të ri.
Masa, e cila anashkaloi në mënyrë të diskutueshme një votim të planifikuar për dekanin e ardhshëm nga kardinalët kryesorë, kishte për qëllim të siguronte që procesi të zhvillohej sipas dëshirave të Françeskut, thanë njerëzit”-shkruan Politico.
Edhe pse kardinali në fjalë është mjaft i moshuar për të marrë pjesë në Konklavë, megjithatë ai do të jetë një figurë kyçe në proceset e prapaskenave përpara formimit të këtij organi dhe pritet të mbrojë trashëgiminë e Papës aktual.
Edhe nëse Françesku i mbijeton sëmundjes së tij të fundit, vëzhguesit e shohin këtë si një pikë kthese të mundshme pasi Papa e zhvendos fokusin nga përparimi në reformat e tij, në mbylljen e tyre.





