Policia e Tiranës njoftoi këtë të martë se ka finalizuar nën drejtimin e SPAK operacionin e koduar “Fraud” dhe ka ekzekutuar një vendim të Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Uniformat blu thonë se kanë sekuestruar 4 pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 1.2 milionë euro të 42-vjeçarit, Erjon Kasmi me precedentë për mashtrim kompjuterik në bursa. Dyshohet se pasuritë janë krijuar nga veprimtaria kriminale e 42-vjeçarit. Bëhet fjalë për 1 apartament, 1 subjekt tregtar dhe 2 vendparkime
“Në vijim të punës gjurmuese dhe hetimore, për konstatimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i GjKKO-së, për sekuestrimin e 4 pasurive të shtetasit E. K., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Konkretisht, u vendos sekuestro mbi 1 apartament, 2 vendparkime për automjete dhe 1 subjekt tregtar, pasuri të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 42-vjeçarit, në fushën e mashtrimit kompjuterik, në bursa”, njoftoi policia.
Erjon Kasmi është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim me gjykim të shkurtuar në korrik të vitit 2024.
Prokuroria e Posaçme e akuzonte atë si organizator i një grupi prej disa personash se nëpërmjet premtimeve për fitime të majme përvetësuan 7 milionë Euro nga qytetarë të ndryshëm Europianë. Pre e mashtrimeve të “call center”-it që ai ishte administrator kanë rënë që prej vitit 2018 me qindra qytetarë gjermanë dhe të vende të tjera të BE-së. Në lidhje me këtë rast, GJKKO dënoi edhe Xhulian Xhafën, specialist i IT-së, ndërsa shpalli të pafajshëm të gjithë punonjësit e “call center”-it në fjalë.





