Disfata kundër Bologna-s largoi Milan nga zona Champions, por ajo që la pas kjo humbje është një ambient i rënduar. Nuk e kanë pritur mirë as tifozët e “djallit”, jo vetëm humbjen kundër Bologna-s, por të gjithë ecurinë e ekipit këtë periudhë ku vetëm pak ditë më parë u eliminuan edhe nga Champions League përballë Feyenoord: “Largohuni të gjithë, të padenjë”, ishte një nga banderolat gjigande që tifozët kuqezi shpalosën në Milanello, qendrën stërvitore të ekipit.

Nuk është i qetë as trajneri Conceiçao, kjo u pa qartë edhe në konferencë për shtyp teksa deklaroi se është gati të largohet, madje pa kërkuar asnjë cent si kompensim, gjithnjë nëse drejtuesit e klubit nuk janë të kënaqur me punën e tij.

Në fakt kjo ishte herë e tretë gjatë kësaj periudhe që tekniku portugez bën një deklaratë të ngjashme. Conceiçao duket se ka humbur edhe dhomat e zhveshjes, pasi edhe lojtarët ja faturuan trajnerit humbjen përballë Bologna-s, me Leao që theksoi se ekipi luajti ekzaktësisht ashtu siç i kishte kërkuar trajneri, me topa të gjatë.

Në kushte të tilla, drejtuesit e Milanit janë përpara dy zgjedhjeve: të mbajnë Conceiçaon deri në fund të sezonit dhe të marrin përsipër faturën në fund, ose të shkarkojnë portugezin dhe t’i besojnë stolin Tassottit. Sipas mediave italiane, opsioni i dytë po fiton më shumë kuota këtë periudhë, me Tassottin që do të përpiqet të shpëtojë çfarë ka mbetur, për t’i dhënë udhë më pas në fund të këtij sezoni një tjetër revolucioni.