Sa për të nisur, Simone Inzagi mund të tregojë numrat që Bajerni nuk i ka më. Trajneri i Interit ka bërë shenjën e tre gishtave, për t’u korrigjuar më vonë dhe për të thënë 4, aq sa trofetë që po ndjek Interi këtë sezon.

Në Mynih nuk mundet ta bëjnë këtë gjë. Bajerni u largua që në dhjetor nga Kupa e Gjermanisë për faj të Leverkusenit. Për numra, Inzagi mundet që të sfidojë edhe në aspekte të tjera kolegun Visent Kompani. Eksperienca e belgut në Champions fillon dhe mbaron në këtë sezon: 12 ndeshje me 8 fitore, një barazim dhe 3 humbje (mes tyre një humbje 3-0 ndaj Fejnordit që Interi e eliminoi). Kurrikulumi i Simones është hapur me Lacion, por në fanellën zikaltër është bërë ai i një trajneri “top”.

Ai kalon gjithmonë fazën e parë, ka arritur një finale 2 vite më parë dhe dy herë është në “G8” të kontinentit. Vetëm Herrera dhe Mançini përpara tij kanë bërë po kaq mirë. Ai ka një skuadër që në Europë nuk e humbet kurrë toruan dhe që pëson pak, vetëm 2 gola në 10 ndeshje. Kjo skuadër shfrytëzon më së miri goditjet e “TU-LA”. Inzagi dhe të tijtë i fusin frikën Bajernit.

JO VETËM MURI- Mbrojtja është pika e fortë e kampionëve të Italisë. Kjo është bileta më e mirë për t’u prezantuar në shtëpinë e Kejnit, Musialës, Olises dhe Kimishit. Gjermanët janë skuadra që kanë shënuar 13 gola më shumë sesa Interi në këtë Champions (edhe me 2 ndeshje më shumë në “play off”). Për të lexuar forcën e mbrojtjes zikaltër përpara Zomerit, ndoshta Interi mund të vendoset në bllok të ulët. Bastoni me shokë luajnë në skemën 3-5-2 inzagian që ndërtojnë, shoqërojnë aksionet dhe bëhen pika pasimi për shokët e avancuar. Henri e ka vlerësuar maksimalisht mënyrën se si luan skuadra zikaltër. Interi është i vështirë për t’u deshifruar në lojë dhe i aftë që të godasë me shumë lojtarë. Interi i Inzagit mund ta fusë në kaos Bajernin, që deri tani ka treguar shpeshherë që vuan këtë sezon në mbrojtje.

STADIUMI- Në anën e tij, trajneri do të ketë edhe faktorin “San Siro”, ku do të luajë sfidën e kthimit kundër Bajernit. Bilanci i 12 ndeshjeve të fundit në shtëpi është 10 fitore dhe 2 barazime. Humbja e fundit është në shtatorin e vitit 2022, pikërisht ndaj gjermanëve. Por nga aty deri tani, nisi një rrugëtim special që e çoi deri në finalen e Stambollit kundër Sitit.

“Ne i njohim mirë dhe do të jetë ndeshje e vështirë”, ka thënë Inzagi. Në anën tjetër Kompani shpjegon: “Interi është një klub i madh, ashtu si në kohën kur fitonte trofe”. Dhe sa për të thënë: Interi e ka ngritur Champions-in e fundit pikërisht në fytyrën e Bajernit 15 vite më parë. Ishte Champions-i i tripletës, ashtu siç ëndrrat e Inzagit janë në këtë sezon. Por në Mynih i bëjnë llogaritë me precedentët e Inzagit, i cili në 4 ndeshje ndaj tyre ka 4 humbje. Por ka gjithmonë një herë të parë…