Policia Rrugore e kryeqytetit ka ndaluar 1 shtetas të shpallur në kërkim, i cili ishte dënuar me 5 vite burgim nga Gjykata e Apelit, për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Bëhet fjalë për 41-vjeçarin Mariglen Abedini, i cili u arrestua pasi u ndalua nga efektivët e rrugores.

“Në vijim të monitorimit dhe verifikimeve në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore dhe ndëshkimin e autorëve të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë kanë ndaluar automjetin tip “Volkswagen” që drejtohej nga shtetasi Mariglen Abedini, 41 vjeç. Pas verifikimeve ka rezultuar se ai ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 5 vite burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njofton Policia.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë vunë në pranga 41-vjeçarin, me qëllim ekzekutimin e këtij vendimi.