Zhvillimi i fëmijëve është një proces kompleks dhe i shumëanshëm, që përfshin aspektet fizike, emocionale, sociale dhe intelektuale. Gjatë viteve të para të jetës, fëmijët kalojnë faza të ndryshme të zhvillimit, që janë thelbësore për formimin e aftësive të tyre të mëvonshme.

Por ndodh që gjatë kësaj periudhe fëmijët mund të shfaqin problematika në zhvillim apo dhe çrregullime neurozhvillimore.

“Çrregullimet neurozhvillimore janë një grup çrregullimesh, të cilat identifkohen në fëmijërinë  e hershme dhe karakterizohen nga deficite në zhvillim, kufizime specifike në të nxënë dhe funksione ekzekutive, vështirësi në funksionimin personal, social dhe akademik.

Në këtë grup bën pjesë dhe çrregullimi i spektrit të Autizmit, i cili veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprimi shoqëror dhe sjellje të përsëritura interesa të kufizuara. Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës dy vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre fushave dallon nga individi në individ”, – thotë drejtuesja e qendrës “Alpha”, Brunilda Abdyli.

 Çrregullimet neurozhvillimore shpesh diagnostikohen në moshën e fëmijërisë, por mund të ndodhin edhe në periudha të ndryshme të zhvillimit të fëmijës.

Disa shenja të hershme mund të fillojnë të shfaqen gjatë muajve të parë të jetës, ndërsa të tjerë mund të vërehen kur fëmija fillon të bëhet më i pavarur dhe të ndërveprojë më shumë me mjedisin e tij.

Pse është e  rëndësishme ndërhyja e hershme?

Identifikimi i hershëm i vështirësive në zhvillim lejon ndërhyrje më të shpejtë dhe të orientuara drejt përmirësimit të aftësive të fëmijës”. Kur ndërhyrja bëhet në moshë të hershme, ka potencialin për të krijuar ndryshime të mëdha dhe për të rritur shanset për zhvillim të suksesshëm për fëmijët që hasin vështirësi në disa prej fushave të zhvillimit”,- thotë Abdyli.

Një diagnostikim i saktë përfshin një vlerësim të hollësishëm të zhvillimit të fëmijës nga profesionistë të shëndetit mendor dhe zhvillimit, si psikologë, psikiatër, pediatër dhe terapeutë. Ata mund të përdorin teste standarde vëzhgim të fëmijës dhe pyetësorë për të kuptuar më mirë nevojat dhe vështirësitë që ka fëmija dhe më pas per të realizuar ndërhyrjet terapeutike.

Terapitë që ofrohen në qendrën Alpha janë terapia e zhvillimit, terapia ABA, logopedia, terapia e artit dhe lojës dhe terapia okupacionale.