E përditshmja britanike The Sun i ka kushtuar sërish vëmendje emigrantëve shqiptarë që kalojnë ilegalisht në Britani përmes gomoneve, duke publikuar një shkrim ku kritikon akomodimin e tyre në hotele të financuara nga taksapaguesit britanikë.

Sipas artikullit, dy shqiptarë kanë postuar një video në TikTok duke treguar kushtet e hotelit ku janë strehuar pas dorëzimit në polici. Në video, ata shfaqen të lumtur në një dhomë me televizor me ekran të madh, ndërsa përshkrimi i saj në shqip reklamon itinerarin e udhëtimit si “100% të garantuar”.

“Dy burra postuan një video në TikTok pasi paguan 3000 £ për të kaluar Kanalin. Ndërkohë, faturat e britanikëve po rriten bashkë me taksat,” shkruan The Sun.

Tabloidi britanik thekson se qeveria shpenzoi mbi 5.38 miliardë paund vitin e kaluar për të strehuar dhe mbështetur azilkërkuesit, ndërsa vetëm nën qeverinë e Keir Starmer, 8000 emigrantë të tjerë janë akomoduar në hotele.

Sipas The Sun, bandat e trafikut të qenieve njerëzore përdorin rrjetet sociale për të reklamuar këto udhëtime dhe për të kontaktuar me emigrantët përmes mesazheve të koduara. TikTok ka fshirë videon e publikuar nga shqiptarët pasi The Sun e raportoi atë si shkelje të rregullave mbi trafikimin dhe kontrabandën e njerëzve.

Shifrat e Home Office tregojnë se 616 shqiptarë kanë hyrë ilegalisht në Britani me gomone gjatë vitit 2024, ndërsa numri total i emigrantëve që kanë kaluar Kanalin me mjete të vogla është 43% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.