Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje në qytetin e Shkodrës, ndërsa dy persona raportohen të plagosur pas të shtënave me armë zjarri.

Informacionet paraprake thonë se autorët janë larguar me një makinë tip “Audi” të zezë, ndërsa të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

“Në lagjen Skënderbeg, Shkodër, në afërsi të ish-Fermentimit të duhanit, rreth orës 20:10, në rrethana ende të paqarta janë plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasit E. Gj., 24 vjeç dhe N. P., 24 vjeç, të cilët janë transportuar në spital ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore të DVP Shkodër dhe FNSH. Është rrethuar në një perimtër të gjerë zona ku ka ndodhur ngjarja dhe vijon krehja e saj nga shërbimet e Policisë Shkodër dhe të FNSH-së. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje dhe vijojnë kontrollet në të gjithë zonën”,– njofton policia.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kujtojmë se brenda këtij muaji, qyteti verior është tronditur nga disa vrasje.