Fle pak dhe ke rrezik më të madh për Alzheimer. Kjo është ajo që ka zbuluar një studim i ri nga shkolla e mjekësisë “Yale”, sipas të cilit të rriturit që flenë më pak orë në fazën e thellë të gjumit – e njohur si REM – shfaqin më shpesh shenja të hershme të kësaj sëmundjeje shkatërruese.

Në studim, i cili u publikua në “Journal of Clinical Sleep Medicine”, u ndoqën për disa vite 270 persona mesatarisht 61 vjeç, të gjithë të shëndetshëm në fillim. Rezultatet ishin befasuese: ata që kishin më pak orë gjumë të qetë REM, përjetonin më shpesh atrofi të zonës së poshtme parietale të trurit – një zonë kyçe për funksionimin kognitiv dhe kujtesën.

“Kur arkitektura e gjumit ndryshon, ndikimi në tru është potencialisht i fortë,” thuhet në studim.

Kjo fazë e gjumit është thelbësore jo vetëm për përpunimin e kujtimeve dhe informacioneve të ditës, por edhe për “pastrimin” e trurit nga mbetjet toksike që mund të nxisin çrregullime neurodegjenerative. Prandaj, mungesa e saj jo vetëm që ndikon në cilësinë e jetës, por mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e Alzheimerit.

“Reduktimi i aktivitetit neurologjik gjatë gjumit, veçanërisht në fazën REM, mund të ndikojë në tkurrjen e trurit dhe të kontribuojë në shfaqjen e hershme të sëmundjes së Alzheimerit,” u shpreh autori i studimit, Gawon Cho.