Një pronar lokali në Durrës dhe një tjetër në Krujë vazhdonin të kryenin dasma, megjithëse ishin gjobitur më parë nga policia. Madje, pronari i lokalit në Krujë, megjithëse ishte gjobitur 3 herë më parë nga 1 milion lekë dhe i ishte mbyllur aktiviteti për një periudhë 6-mujore, vijonte me dasmat. Ndaj tij, efektivët kanë nisur procedimin penal për “Mosbindje naj urdhrit të policisë”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, proceduan penalisht shtetasin Xh.B., 46 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ky shtetas si pronar i një subjekti në Fushë Krujë, i cili ishte ndëshkuar 3 herë me masë administrative me nga 1.000.000 lekë si dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, u konstatua përsëri nga shërbimet e Policisë duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprime të mëtejshme.
—
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Spitallë, Durrës, subjektin në pronësi të shtetasit S.P., i cili u konstatua duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur me Aktin Normativ.
Për këtë subjekt, shërbimet e Policisë Durrës, kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.





