Policia e Fierit zbardh ngjarjen e ndodhur tri ditë më parë në Patos, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. S., 31 vjeç.
Uniformat blu arrestojnë njërin prej autorëve dhe shpallin në kërkim katër të tjerë, të cilët sipas policisë, e kanë rrëmbyer me forcë 31-vjeçarin dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri.
Konkretisht u arrestua shtetasi Xh. S., 24 vjeç, banues në Patos.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
E. S., 28 vjeç; V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të katërt banues në Patos.
“Këta shtetas, në datën 17.08.2020, rreth orës 19:00, në afërsi të Stadiumit në Patos, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Për këtë ngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja pistolete, si edhe 4 automjete të autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit e mbetur në tentativë” të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.





