Tjetër rast i rëndë raportohet nga Durrësi. Pas aksidentit me pasojë një viktimë 45-vjeçar dhe një të mbytur në Plazh, një aksident ka ndodhur para pak minutash në qytet, te rruga që shkon për në Kënetë.

Një djalë i ri 19 vjeç me motor ka mbetur i plagosur, pasi duke drejtuar mjetin ka përplasur një të moshuar që po ecte në rrugë.

Nga personat e pranishëm në vendngjarje, bëhet me dije se drejtuesi i motorit më pas ka humbur kontrollin.

Policia informon se i plagosur ka mbetur dhe një pasagjer në motor. Të tre të plagosurit janë dërguar në spital.

Durrës/Informacion paraprak 

Më datë 19.08.2020, rreth orës 14:30, në lagjen nr.17, Durrës, një motomjet me drejtues shtetasin G.Sh., 19 vjeç, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin H.B., 72 vjeç.

Si pasojë e përplasjes janë lënduar këmbësori shtetasi H.B., drejtuesi i motomjetit shtetasi G.Sh., dhe pasagjeri në motomjet shtetasi R.H., 18 vjeç, të cilët janë dërguar në spital nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.