Prej dhjetorit të vitit 2018,  Komiteti Shqiptar i Helsinkit përmes projekteve të impelmentuara ka ofruar ndihmë juridike parësore, duke synuar informimin dhe sensibilizimin e qytetarëve për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, e më pas duke monitoruar sistemin ofrimin e saj në kuadër të projektit “Garantimi i mirëfunksionimit të sistemit të ofrimit të ndihmës juridike parësore, nëpërmjet monitorimit të ngritjes dhe veprimtarisë së mekanizmave përgjegjës”, zbatuar KSHH dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA).

Ligji Nr. 111/2017  datë 14.11.2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shtetit” është miratuar në dhjetor 2018 dhe ka hyrë në fuqi 6 muaj më vonë, duke u shoqëruar me vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore, thënë kjo edhe në mungesë përfituesish dhe akses i munguar në sistemin e drejtësisë. Që në fazat e para të zbatimit të këtij legjislacioni, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka monitoruar skemën e ofrimit të ndihmës juridike dytësore dhe atë parësore.

Erisilda Shpata, korespondente e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për qytetin e Durrësit tha se sa i përket zbatimit të ligjit dhe përfituesve të drejtpërdrejtë të ndihmës juridike dytësore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, rezulton se:

“Për vitin 2019 janë paraqitur 5 kërkesa për përfitimin e ndihmës juridike dytësore, nga të cilat vetëm dy janë pranuar. Për vitin 2020 deri në këtë moment janë paraqitur 6 kërkesa për ndihmë juridike dytësore, nga të cilat vetëm 1 është pranuar.”

Këto të dhëna statistikore raportojnë për disa problematika:

  1. Numri i aplikimeve për NJD pranë kësaj gjykate është shumë i ulët. Në mungesë të infomimit për funksionimin e ligjit, qytetarët shpesh humbin aksesin në drejtësi, ose detyrohen të futen në kredi/hua për përfitimin e këshillimit/përfaqësimit juridik;
  2. Nga ana e Gjykatës ka një hezitim në zbatim të ligjit, duke dashur të mos preket buxheti i shtetit.
  3. Mungesë referimi nga ana e institucioneve të administratës publike, për mundësinë e përfitimit të NJD.

Përgjatë këtij monitorimi, KSHH ka evidentuar:

  •  vonesat në zbatimin e legjislacionit,
  •  të nxjerrjes së akteve nënligjore,
  •  të ngritjes së strukturave përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e skemës së ndihmës juridike falas,
  •  të plotësimit me personel të këtyre strukturave,
  •  të pajisjes me infrastrukturën e nevojshme,
  • të realizimit të memorandumeve të bashkëpunimit midis institucioneve apo edhe enteve publike e private etj.

Të gjitha këto vonesa kanë ndikuar në aksesin e munguar apo të vonuar të qytetarëve në organet e drejtësisë si dhe kanë krijuar vështirësi për organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë shërbime ligjore falas për qytetarët, një pjesë e të cilave e kanë realizuar këtë shërbim mbi baza vullnetare dhe pa mbështetje financiare.

KShH konstaton se ngritja me vonesë e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas (pranë Ministrisë së Drejtësisë) nuk ka mundësuar realizimin tërësor të gjitha detyrimeve që i ngarkon ligji kësaj njësie.

Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka filluar funksionimin e pjesshëm në muajin gusht 2019 ndërkohë që aktualisht janë plotësuar vakancat për nivelin e specialistëve,  dhe aktualisht dhe niveli drejtues i kësaj Drejtorie.

Ligji ka parashikuar krijimin e qendrave që do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike falas pranë gjykatave të rretheve gjyqësore ose në ambiente të tjera të përshtatshme brenda 3 muajve nga ngritja e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

KSHH vlereson se Miratimi i ligjit nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” përbën një hap të rëndësishëm progresiv ndaj mundësisë që kanë përfaqësuesit e kategorive vulnerabël për të përfituar shërbime të ndihmës ligjore parësore falas.Megjithatë, zbatimi i deritanishëm i ligjit nr. 111/2017 dhe akteve nënligjore të nxjerra për zbatim të tij kanë nevojë për përmirësim të mëtëjshëm. Në këtë kuadër, KShH rekomandon dhe sugjeron:

  • Nxitjen dhe përshpejtimin e procedurave në mënyrë që organika e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, pranë Ministrisë së Drejtësisë  të plotësohet me funksionarët në nivel drejtues, me qëllim mundësimin e funksionalitetit të plotë të saj.
  • Me rikthimin e situatës në kushte normale, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas duhet të marrë masa, me qëllim përfundimin e procesit të përzgjedhjes dhe lidhjes së kontratave të shërbimit për ofrimin e ndihmës juridike falas me organizatat jofitimprurëse. Vonesat në finalizimin e këtij procesi të rëndësishëm kanë krijuar problematika në zbatimin e ligjit dhe ofrimin e ndihmës juridike parësore.
  • Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas duhet të marrë masa konkrete dhe efektive për zbatimin e planit 6 mujor të hartuar prej tyre për vitin 2020, me synim ngritjen e qendrave të ofrimit të ndihmës juridike parësore në qytetet Lushnjë dhe Kukës.
  • Përballë nevojës për sensibilizimin e qytetarëve ndaj kuadrit ligjor në fuqi dhe rrugëve që duhet të ndjekin për zgjidhjen e problematikave ligjore konkrete, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas duhet të bashkëpunojë në mënyrë proaktive me organizatat ndërkombëtare, klinikat e ligjit, dhe me organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit ligjor në një masë të gjerë të popullsisë, duke mos u kufizuar vetëm në një qytet të caktuar. Sugjerojmë ndërmarrjen e alternativave inovative për përmbushjen e këtij rekomandimi, si vendosja e materialeve promovuese pranë zyrave që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta, stacioneve të mjeteve të qarkullimit urban dhe interurban; realizimi i fushatave informuese online; përdorimi i flyers dhe shpërndarja e tyre në rrjetet sociale etj.
  • Në kuadër të forcimit të kapaciteteve të stafeve të qendrave për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike parësore, duhet të merren masa konkrete që pavarësisht ekspertizës dhe profesionalizmit të punonjësve ekzistues, të realizohet përfshirja e tyre në trajnimin e posaçëm dhe fillestar me qëllim garantimin e respektimit të parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë dhe paanshmërisë.
  • Krijimin e një hartëzimi me të dhëna të përditësuara të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë shërbime të ndihmës juridike parësore, vendosjen e urave të bashkëpunimit me OJF të krijuar në vitet e fundit dhe rritjen e bashkëpunimit e ndërveprimit me to, me qëllim zhvillimin e sistemit të ndihmës juridike, nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit ligjor të publikut. Ky hartëzim do të garantonte gjithëpërfshirjen dhe do të shmangë përcjelljen e komunikimeve zyrtare dhe të rëndësishme nga ana e autoritete publike, nëpërmjet përzgjedhjes selektive. Eksperienca e organizatave jofitimprurëse është e vyer në krijimin e politikave të përshtatshme për ofrimin e ndihmës juridike të orientuar sipas nevojave dhe fushave specifike që qytetarët kanë nevojë.
  • Të nxitet vendosja e urave të bashkëpunimit dhe të nxitet krijimi i tryezave të rrumbullakëta me përfaqësues të Klinikave të Ligjit funksionale pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë publike dhe private, të cilat ndeshen me vështirësi objektive dhe janë udhërrëfyes të mirë të praktikave konkrete pozitive me fokus ndihmën juridike. Të merren hapat konkretë për përfshirjen në diskutime të përfaqësuesve të universiteteve të cilat ende nuk kanë ngritur klinikat e ligjit pranë ambienteve të tyre, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve optimale për përfshirjen e kësaj Klinike në statutin e IAL-së ose si një modul mësimor që shërben për përfitimin e kreditove nga ana e studentëve që e ndjekin.

Por çfarë mund të përfitojnë qytetarët:

  1. Ndihmën juridike parësore;
  2. Ndihmë juridike dytësore,  është shërbimi juridik që ofrohet për përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën; ofrimi i këshillimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes para gjykatës në çështjet administrative, civile dhe në çështjet penale, për të cilat nuk zbatohet mbrojtja e detyrueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural penal.
  3. Përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore;
  4. Përjashtim nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit.

Përfituesit e ndihmës juridike janë:

  • a) shtetasit shqiptarë me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e RSh;
  •  b) shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të pajisur me leje qëndrimi;
  • ç) azilkërkuesit.

Kategori të  veçanta të përfituesve të ndihmës juridike, pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre, konkretisht:

  •  a) viktimave të dhunës në familje;
  • b) viktimave të abuzuar seksualisht dhe viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal;
  • c) viktimave të mitur dhe të miturve në konflikt me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal;
  • ç) fëmijëve, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
  •  d) fëmijëve nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor;
  • dh) personave që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, duke përfshirë edhe personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit;
  • e) personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit të pavullnetshëm në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për shëndetin mendor;
  • ë) personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit vullnetar në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor për sëmundjet e rënda mendore;
  • f) personave, ndaj të cilëve kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, në çdo fazë të këtij procesi;
  • g) personave, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, që kërkojnë të nisin një proces kundër kujdestarit të tyre ligjor, për rifitimin e zotësisë për të vepruar, pa miratimin e kujdestarit ligjor;
  • gj) personave, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale;
  • h) personave, të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.

Ndërsa kategoria tjetër e përfituesve janë ata të cilët  kanë të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme

1. Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e ka çdokush që provon se ka të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për këshillim, përfaqësim dhe/ose mbrojtje në çështjet penale, në çështjet administrative dhe në çështjet civile.

 2. Të ardhurat e një personi, i cili jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, sipas kuptimit të pikës 1, të këtij neni, nëse të ardhurat në total të të gjithë pjesëtarëve të familjes, të pjesëtuara për numrin e anëtarëve të familjes, janë më të ulëta se 50 për qind e pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

3. Të ardhurat e një personi, i cili nuk jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, sipas kuptimit të pikës 1, të këtij neni, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

  1. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike parësorë bëhet me gojë ose me shkrim nga personi i interesuar pranë një qendre shërbimi për ndihmë juridike parësore ose një organizate jofitimprurëse të autorizuar, përmes një vetëdeklarim se përmbush kriteret e përcaktuara në këtë ligj, të shoqëruar me dokumentacionin justifikues.
  2. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike dytësore paraqitet nga personi i interesuar personalisht ose me anë të shërbimit postar pranë gjykatës ose organit procedues që fillon hetimet, përpara fillimit të një procesi gjyqësor, në fillim të një procesi gjyqësor dhe/ose në çdo fazë të procesit gjyqësor.

Kërkesa për ndihmë juridike dytësore përjashtohet nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore.

Personi, nënshkruan një vetëdeklarim se përmbush kriteret e përfitimit, të përcaktuara në këtë ligj, sipas formularit të vetëdeklarimit të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, të shoqëruar me dokumentacionin justifikues.

Kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet në gjykatën kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel dhe Vendimi në lidhje me kërkesën për ndihmë juridike dytësore merret nga gjykata kompetente: a) brenda 5 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, kur kërkesa paraqitet përpara fillimit të procesit gjyqësor.