Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”.
Në vijim të këtij operacioni, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Vihet në pranga 1 shtetas, i cili transportonte 15 emigrantë të paligjshëm dhe gjatë ndjekjes nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.
U arrestua në flagrancë shtetasi:
– A. SH., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap nga shërbimet e policisë në afërsi të fshatit Blacë, Pogradec, duke transportuar me një mjet tip furgon në drejtim të Tiranës, 15 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.
Ky shtetas nuk i është bindur gjatë ndjekjes, urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por më pas u kap e neutralizua.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.





