Banorët e Teksasit në SHBA po kërcënohen nga uragani “Hanna”, që pritet të shkaktojë stuhi të mëdha, erëra të forta dhe reshje të dendura shiu.

Guvernatori Greg Abott shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për 32 qarqe, duke thënë se shpërthimi i koronavirusit do të ndërlikojë punën e shërbimeve të emergjencës për të përballuar edhe dëmet që do të shkaktojë stuhia.

“Çdo uragan është një sfidë e madhe. Kjo është akoma më e ndërlikuar dhe më e rëndë për shkak se stuhia po kalon në një zonë që është goditur rëndë nga Covid-19”, tha Guvernatori.

Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar banorët e zonave që të zbatojnë me rreptësi këshillat e ekspertëve. Erërat me shpejtësi 145 km/h kanë shkulur çatitë e shtëpive.

Qendra Kombëtare e Uraganeve paralajmëroi se stuhia do të rritet përgjatë zonave bregdetare të Teksasit. Uragani pritet të shuhet në rajonin e Hjustonit.