Pas disfatës së hidhur në finalen e Champions-it ndaj PSG-së, Denzel Dumfris ka thyer heshtjen në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ku tregon emocionet e përjetuara nga skuadra dhe shpresat për të ardhmen. I njohur si një lojtar që rrallë flet publikisht, mbrojtësi holandez ka ndarë ndjeshmërinë e tij për momentin e vështirë dhe ambiciet e Interit për sezonin e ri.
“Duhet të jemi të ndershëm, nuk mund të themi që nuk ndodhi asgjë. Nuk jemi rikuperuar ende plotësisht mendërisht, por është normale, jemi njerëz para se të jemi futbollistë,” tha Dumfris, duke theksuar se humbja në finale ka lënë gjurmë.
“PSG-ja ishte më e fortë dhe nuk ishte dita jonë, por e kemi pranuar dhe jemi gati për të nisur nga e para. Bota e di që mund të arrijmë në finale dhe tani duhet të tregojmë se mund ta fitojmë, dhe e duam me gjithë zemër”.
ENTUZIAZMI- Pavarësisht zhgënjimit, entuziazmi brenda skuadrës mbetet i lartë. “Askush nuk do ta humbasë kurrë krenarinë për të luajtur për një nga klubet më të mëdha në botë. Motivimi për të filluar nga e para është më i madh se zhgënjimi”, shtoi ai.
INZAGI- Dumfris foli gjithashtu për ndarjen nga trajneri Simone Inzagi, i cili tashmë është ulur në stolin e Al-Hilal. “Ishte e vështirë, sepse ishim shumë të lidhur me të, kemi kaluar katër vite si një familje. Jam i lumtur për të dhe aventurën e re që ka nisur”.
KIVU- Tani, me Kivunë në stolin e Interit, ka një atmosferë të re dhe ide të freskëta. “Është një trajner i shkëlqyer me një staf të aftë. Po marrim energji të reja dhe ide të reja, ndoshta do të luajmë më lart në fushë dhe do të rregullojmë disa detaje. Ka një klimë pozitive dhe ai di të shpjegojë çdo gjë me qartësi”.
RIVALITETI ME TEON- Në fund, një koment plot humor për rivalitetin me Teo Hernandezin, që pritet të transferohet te Al-Hilal. “Kanë qenë beteja të bukura në derbi, ndoshta do të kemi të tjera në kombëtare. Një pije me të? Ndoshta kur të kemi dalë në pension”, përfundoi me të qeshur Dumfris.





