Pas eliminimit zhgënjyes nga Fluminense në Kupën e Botës për Klube, tensionet brenda Interit dolën në sipërfaqe, me përplasjet mes lojtarëve që u transferuan edhe në rrjetet sociale.Një situatë e vështirë që kërkonte ndalje, reflektim dhe përballje. Dhe kjo ndodhi. Një mbledhje urgjente në hotel, e thirrur nga trajneri Kristian Kivu, solli për herë të parë një përpjekje serioze për të qetësuar stuhinë. Takimi, i zhvilluar para nisjes së skuadrës për pushime, ishte i sinqertë, pa filtra dhe pa kursyer askënd.
Të gjithë lojtarët ishin të pranishëm, përfshirë edhe protagonistët e polemikave të ditëve të fundit. Kapiteni Lautaro Martinez dhe partneri i tij i sulmit, Markus Turam. Përplasja mes tyre u nxit nga një postim i Çalhanoglu në Instagram dhe reagimi i Lautaros pas ndeshjes, i cili hodhi një akuzë të fortë. “Kush s’ka dëshirë të rrijë, le të largohet!”. Turam, nga ana e tij, tregoi mbështetje për mesfushorin turk, duke i pëlqyer postimin thumbues të këtij të fundit: “Një lider i vërtetë nuk kërkon fajtorë”.
TAKIMI- Nga ana tjetër, trajneri Kristian Kivu, i njohur për përvojën e tij në dhoma zhveshjesh të vështira, mori në dorë situatën dhe kërkoi sqarim të plotë, jo vetëm mes protagonistëve të drejtpërdrejtë, por në të gjithë grupin. Ai theksoi nevojën për unitet në këtë periudhë të ndërlikuar dhe inkurajoi të gjithë lojtarët të shprehnin ndjesitë e tyre pa frikë. Mbledhja nuk ishte thjesht një akt formal. Disa prej lojtarëve më me përvojë morën fjalën dhe ndanë mendime të sinqerta mbi atmosferën në skuadër, që pas eliminimit nga Botërori kishte nisur të shpërbëhej. Disa zëra sugjeruan ndryshime në sjellje, të tjerë kërkuan më shumë përgjegjësi dhe përkushtim nga të gjithë.





