Policia e Holandës ka arrestuar 2 të rinj, njëri prej tyre shqiptar, pasi u kapën me 104 kilogramë kokainë në furgonin me të cilën udhëtonin.

Ngjarja ka ndodhur në Abcoude, ku policia ka ndaluar mjetin për kontroll, pasi i doli në sistem se leja e tij kishte skaduar.

Gjatë kontrollit policia zbuloi një hapësirë të veçantë të krijuar në furgon, ku ishte fshehur kokaina. Policia arrestoi drejtuesin e furgonit, një 31-vjeçar nga Holanda dhe pasagjerin, një 24-vjeçar shqiptar.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe dy telefona celularë, që sipas policisë përdoren për qëllime kriminale.