Të gjitha gjobat për mospagim të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për shkak të pandemisë Covid-19 do të hiqen.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në kuadër të masave të marra nga Qeveria Shqiptare për lehtësimin e veprimtarisë ekonomike të subjekteve private, njofton të gjithë sipërmarrësit dhe bizneset në vend se Administrata Tatimore do të anuloje gjobat e vendosura për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë të vitit 2020, të reflektuara në periudhën e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, në përputhje me VKM NR. 243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, i ndryshuar.

Të gjitha subjektet që kanë marrë një penalitet për shkak të mospagimit në afat të kësteve të Tatimit mbi Fitimin dhe e kanë paguar atë, do të mund të përdorin këtë shumë për detyrime tatimore të mëvonshme.

Administrata Tatimore do të do të vijojë zbatimin e procedurave për të njoftuar tatimpaguesit në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik e-Filing.

Gjithashtu, struktura e apelimit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të trajtojë në përputhje me përcaktimet e legjislacionit, për situatat e fatkeqësisë natyrore edhe gjobat e tjera për deklarim dhe pagesë me vonesë të detyrimeve të tjera tatimore nga ana e tatimpaguesve.

MFE mbetet e angazhuar për të mbështetur biznesin në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj periudhë të vështirë pandemie me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë.